Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me katër vota pro dhe tre kundër tabelën përmbledhëse të rezultateve për rajonin e Fierit.

Ky i fundit përfshin 7 Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve duke filluar me atë numër 18 deri në Komision Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve me numër 24.

Thelbi i debatit që mori ngjyrime te forta politike lidhej me rezultatin e pasqyruar te dy qendrave të votimit me numër 31 85 dhe 31 88, në vendimin përfundimtar të KZAZ numër 20.

Dëshira Subashi, anëtarja e Partisë Socialiste, ne komision tha qe vendimmarrja për Fierin të përfshijë dhe rezultatin e këtyre dy qendrave socialiste.

Kryetari Arben Ristani argumentoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve merr vendim mbi bazën e rezultateve qe servirin zyrtarisht komisionet zonale të administrimit të zgjedhjeve.

Deshire Subashi: “Jemi në kategorinë e mospërfshirjes në rezultat të qendrave të votimit të cilat kanë një rezultat, të cilat janë marrë në dorëzim kuti të rregullta dhe që në mënyrë abuzive  në kundërshtim të hapur me kodin zgjedhor, Komisioni Zonal nuk ka nxjerrë rezultat zgjedhor dhe në kategorinë e tretë kemi 2 qendra votimi të KZAZ nr.20 të cilat i janë nënshtruar procedurës së numërimit, është hartuar dhe akti përkatës dhe përsëri nuk është përfshirë në rezultat.”

Arben Ristani: “Ne kemi marrë vendim dhe ju kemi thënë me vendim, plotësojeni tabelën përmbledhëse të rezultatit dhe ata e kanë plotësuar dhe kanë marrë vendim për ta plotësuar tabelën përmbledhëse të rezultatit duke qenë se ka një vendimmarrje atje, ligji thotë që kjo vendimmarrje e KZAZ-së ankimohet së bashku me tabelën përmbledhëse të rezultatit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Pra ka një vendim, neve bëjmë tabelën përmbledhëse të rezultatit dhe kjo tabelë rezultati bashkë me vendimin e tyre i cili meqë ju po këmbëngulni dhe për mendimin tim nuk është i drejtë sepse duhej të ishin përfshirë kutitë në tabelë, por ashtu e kanë marrë vendimin. I drejtë i gabuar, procedura thotë ky vendim ankimohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me tabelën përmbledhëse të rezultatit. Prandaj këtu nuk ka fare 2 standard, rastet nuk qëndrojnë dhe nuk ngjajnë me njëri tjetrin dhe ne jemi duke bërë një vendimmarrje korrekte proceduralisht dhe ligjërisht. Tentativat për të anatemuar dhe goditur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë tentativat për të goditur sistemin, janë tentativa të padrejta për të bërë pis zgjedhjet. Janë tentativa për të thënë që Shqipëria nuk është e zonja të bëjë zgjedhje të lira, të drejta e të ndershme. Janë tentativa dashakeqëse që na pengojnë në rrugën tonë.”

Debatet vijuan për të paktën tre orë dhe në përfundim KQZ kaloi në miratimin e tabelave përmbledhëse për rajonin e Fierit. Thënë ndryshe me këtë rezultat 8 mandate deputetësh i takojnë Partisë Socialiste, 6 mandate  Partisë Demokratike; një mandat Partisë Drejtësi dhe Integrim si dhe një mandat deputeti i Lëvizjes socialiste për Integrim. Momenti i votimit u kundërshtua jo vetëm me votë nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste.”

Rajoni i Fierit ka të paktën 9 qendra votimi të cilat nuk janë pasqyruar në rezultatin përfundimtar.

Miratimi i tabelës përmbledhëse për këtë rajon i hap rrugë procesit të ankimit nga ana e subjekteve politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve apo në shkallën e dytë të ankimimit,  Kolegjin Zgjedhor./tvklan.al