Kryetari i partisë socialiste, Edi Rama është takuar me anëtaret e shoqatës të ish ushtarakëve në lirim. Ai është shprehur se beteja e madhe e kësaj kategorie është vetëm zbatimi i ligjit dhe se qeveria e re e së majtës pas 28 qershorit do tu japë të gjitha të drejtat që meritojnë në bazë të statusit.
Edi Rama: “Ju sot mund të dëshmoni se më shumë se sa ekonomia juaj familjare e cila është vënë realisht në vështirësi nga moszbatimi i ligji dhe mos njohja e vendimit të gjykatës kushtetuese është cenuar dinjiteti juaj personal dhe familjar dhe është ky dinjitet që në radhë të parë në do të vejmë në vend.”
Rama nuk ka lënë pa përmendur tragjedinë e Gërdecit duke e konsideruar atë si shkelje të dinjitetit të forcave të armatosura.
Edi Rama: “Faktet që po dalin për ditë nga kanali i korrupsionit që lidh kryeministrin me Gërdecin nuk mbulon dot me baltën e shpifjeve që gatuhet në kryeministri dhe mbush çdo ditë e ekranet dhe gazetat. Përfshirja e këshilltarit politik dhe shpirtëror të Sali Berishës në ndërtimin e fabrikës së Gërdecit nuk mbulohet dot me baltën e shpifjeve për bashkinë e Tiranës.”
Kreu i PS-së nënvizoi si element të rëndësishëm reformimin dhe respektimin e statusit të nëpunësit civil të ministrisë së Mbrojtjes duke premtuar se partia socialiste do i japë kuptimin e duhur demokratik perëndimor konceptit të kontrollit civil ndaj forcave të armatosura./tvklan.al
Gazetare: Eriona Rafti