Figurat kryesore politike në vend kanë uruar sot të gjithë besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes.
Kreu i shtetit, Ilir Meta, në një mesazh në Facebook ka ndarë urimet e përzemërta për shqiptarët, ndërsa në veçanti është ndalur tek familjarët e viktimave të tërmetit të 26 nëntorit.
“Krishtlindja i gjen shumë familje shqiptare në momente jashtëzakonisht të vështira shpirtërore dhe ekonomike! Tërmeti i 26 nëntorit ishte një tragjedi e madhe që na lëndoi të gjithëve. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për ata që kjo fatkeqësi e rëndë i ndau përgjithmonë nga të afërmit dhe të dashurit e tyre! Le të punojmë të gjithë së bashku, pa u lodhur, për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme në atdhe, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë tanë”.
Edhe kryeministri Edi Rama, përmes një mesazhi nga Papa Françesku, ka zgjedhur të përcjellë urimet e tij.
“Zoti nuk i jep kurrë një dhuratë atyre që janë në gjendje ta marirn! Ai na ka dhënë Krishtlindjet, sepse të gjithë kemi aftësinë t’i kuptojmë e t’i mirëpresim”.
Gjithashtu, Rama ka postuar edhe një foto i rrethuar me fëmijë, teksa uron Krishtlindjet.
Nga ana tjetër, kreu i PD, Lulzim Basha, nga kisha e Shën Palit në Durrës, ka uruar të gjithë besimtarët e Krishterë, ndërsa bëri thirrje për një bashkim më të madh dhe më të fuqishme, si një familje, për të përballuar çdo të keqe.
“Nga Kisha e Shën Palit dua të uroj nga zemra të gjithë besimtarët e krishterë të Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë Krishtlindje të gëzuara! Kjo feste sjelltë besim, shpresë dhe ua mbushtë zemrat me dritë të gjithë shqiptarëve! Qoftë kjo festë, kjo ditë e shenjtë e lindjes së Krishtit edhe një thirrje për një bashkim më të madh, me të fuqishëm, si një familje, për të perballuar çdo të keqe dhe për të dalë në dritën e begatisë dhe bekimit të Zotit!” /tvklan.al