Kryetari i qeverisë ishte i pari që provoi ujin e ujësjellësit të ri të Gjilekës që do të furnizojë 460 familje.

Investimi i qeverisë llogaritet plot 41 milion lekë dhe është pjesë e angazhimit të vendosur edhe në programin e ri qeveritar për furnizim me ujë 24 orë. 

Ujë dhe rrugë të asfaltuara u premtoi banorëve  kryeministri Sali Berisha. Premtime shoqëruar me afate konkrete për shkak të rëndësisë që i kushton qeveria përmirësimit të të gjitha potencialeve turistike të kësaj zone.

Sali Berisha: “Së shpejti do inaugurojmë ujësjellësin e Vunoit, i cili pas shpimit të ri do të japë ujë Vunoit për 34 orë. Ka përfunduar projekti dhe do të fillojnë punimet për ujësjellësin e ri të Himarës. Ajo ç’ka un ju premtoj ju është se qeveria është e vendosur të garantojë 24 orë furnizim me ujë për të gjithë familjet e bregut. Ju garantoj se brenda vitit 2010 do të përfundojmë së asfaltuari të gjitha rrugët e fshatrave tuaja që çojnë drejt detit. Brenda vitit 2010 do të bëjmë investimet më të mëdha në furnizimin tuaj me ujë në mënyrë që dora dorës çdo fshat i bregut të mund të ketë ujë për 24 orë. Brenda vitit 2010o të hartojmë së bashku me qeverinë vendore projektet më të mira për vaditje.”

Kryetari i qeverisë tha i bindur se ky do të jetë viti i bumit turistik ndaj dhe siç tha përpjekjet e qeverisë do të fokusohen në këtë drejtim.

Me të njëjtën rëndësi  Kryeministri Berisha vlerësoi nxitjen dhe financimin e projekteve për shtimin e rrënjëve të ullirit si dhe agrumeve për shkak të traditës që ofron jugu në këtë drejtim.

Sali Berisha: “Sikundër do përpiqemi të bëjmë çmos tu kreditojmë ju për zgjerimin e banesave, për ndërtimin e banesave të reja. Turizmi këtu ka një zhvillim të madh, por potenciali turistik është shumë herë më i madh, ndaj dhe do të ecim drejt shfrytëzimit të tij.”

Në Dhërmi, kryeministri Berisha gjeti rastin të përshëndesë zgjedhësit e Ballagatit për besimin që  i dhënë Partisë Demokratike. 

Rezultatin në këtë komunë kryetari i qeverisë e cilësoi si një mësim të mirë për kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Këtu Berisha kujtoi dhe një herë qëndrimin e Ramës për të mos njohur zgjedhjet e 28 Qershorit.

Sali Berisha: “I garantoj ato se vota e tyre do të shndërrohet në një mirësi konkrete për çdo fermer të Ballagatit. I falënderoj ata për mësimin shkëlqyer që i dhanë Edi Ramës, i cili në arrogancën e tij, në fodullëkun e tij e ka të vështirë të nxjerrë mësime. Në asamblenë e tij që e mblodhi megjithëse është mandat humbur, deklaroi se nuk do njihte zgjedhjet. Unë dua t’i them këtu nga Dhërmiu, zotit Rama këto fjalë: Në qoftë se ti nuk njeh popullin tënd kujdes se do marrësh ndëshkimin më të madh të tij dhe ky ndëshkim është ai nuk do të njohë ty fare. Populli është i përjetshëm kurse politikanë si ti janë limonada të përkohshme që thartohen me verën e parë dhe kështu u thartove dhe ti.”

Pas ujësjellësit, kryeministri Berisha inauguroi në Dhërmi edhe sheshin Petro Marko për nder të shkrimtarit të madh.

Ndërtimi i tij ka kushtuar rreth 7 milion lekë para që bënë të munduar shtrimin e të paktën 1150 metrave katror kalldrëm.

Sheshi është vetëm një nga projektet e qeverisë për të nderuar këtë figurë të njohur të letrave shqip, që kryeministri Berisha e cilësoi si nderi i kombit…./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi