Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Kryeprokurori Rakipi ka mohuar në parlament, implikimin e tij në rrjetin e trafikantëve të kokainës Durda e Përballa. Në përgjigje të pyetjeve të deputetëve, lidhur me fotografinë e tij me Koçiun e Përballën, kryeprokurori Rakipi nuk dha detaje konkrete. Në raportin e tij për rezultatet e Prokurorisë së Përgjithshme, Rakipi tha, se trafikantët synon ta kthenin Shqipërinë në një bazë depozitimi kokaine për trafikun drejt tregjeve europiane, ruse dhe aziatike.
Kryeprokurori Arben Rakipi:- “Rasti i fundit, ku rezultat i bashkëpunimit tonë me homologë të disa vendeve, u shkatërrua një rrjet ndërkombëtar trafiku droge, e ku pjesa shqiptare luante një rol të dorës së parë, në marrëdhëniet me kartelin me të njëjtën linjë të Pablo Eskobarit është shumë sinjifikativ në këtë drejtim. Siç na rezulton nga hetimi i deritanishëm, përmasat e këtij aktiviteti, kishin qëllim për të krijuar në Shqipëri një bazë depozitimi kokaine, me synim trafikimin e saj jo vetëm në tregun perëndimor, por edhe në Rusi e vende të tjera të lindjes”.
Sipas Rakipit, objekti i sfidës të prokurorisë, nuk janë thjeshtë individ e banda të shkëputura kriminelësh, që nën tyta kallashësh grabisin kalimtarë, apo të fortë që iu vendosin gjoba tregtarëve, vrasin njerëz e kontrollojnë zona territoriale të caktuara. Sipas tij prokuroria është përfshirë në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqet e paligjshme të drogës, prostitucionit, armëve, klandestinëve etj./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame