Kryeqyteti gjatë vitit të shkuar ka patur numrin më të lartë të veprave penale të kryera për të cilat ka nisur një procedim penal nga ana e Prokurorisë së Tiranës. Ndërsa Kukësi dhe Dibra janë qarqet me numrin më të ulët të kriminalitetit.
“Numri më i madh i procedimeve penale të regjistruara rezulton në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë me 35,12 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi; në fund janë prokuroritë Kukës 2,37 %; Dibër 2,31 % ,të numrit total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi”, tha kryeprokurori Olsian Çela.
Prokurori i Përgjithshëm, në raportimin vjetor përpara parlamentit, referuar statistikave të vitit të shkuara, thotë se veprat që përbëjnë përqindjen më të lartë janë që lidhen me trafiqet e paligjshme ndërsa vihet re një tendencë rritëse veprat që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe ato në fushën e kibernetikës.
“Veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara me 31,71 %, veprat penale vjedhja e pasurisë përbëjnë 23,64 % Tendencë në rritje është vërejtur për veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës”, 12,86 %; veprat penale kundër sekretit dhe kufijve shtetërorë, 9,20 %; veprat penale në fushën kibernetike, 22,35 %; veprat penale të trafiqeve të paligjshme”, 47,59 %; veprat penale kundër prodhimit dhe kultivimit të narkotikëve”, 13,81 %”, u shpreh Çela.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputeteve kryeprokurori Çela u ripozicionua dhe njëherë kundër ndryshimeve të herëpashershme të Kodit Penal pa pasur një arsye madhore për amendimeve. Ajo ku duhet të ndërhyhet, madje me urgjencë, sipas Çelës është Kodi i Procedurës Penale. Çela ngriti dhe njëherë shqetësimin e volumeve të mëdha të dosjeve pas vakancave të krijuara nga vetting që ende nuk janë plotësuar ende.
Tv Klan