Ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar, rikonstruksioni i Operas, rindërtimi nga e para e Teatrit të Hapur në Parkun e Liqenit, si dhe çelja pas pak ditësh e skenës së re “Turbina”, do ta bëjnë Tiranën kryeqytetin europian të kulturës. Nga Novi Sadi, ku mori pjesë në Forumin e Tretë Rajonal të të Rinjve dhe ku e pranishme ishte edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ndau me të rinjtë historinë fantastike se si Tirana sot, falë vizionit dhe investimeve, po shndërrohet jo vetëm në një qytet të të rinjve, por edhe në një qytet të kulturës.

Veliaj tha se me ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, por edhe me përfundimin e një sërë veprash të tjera që përmirësojnë infrastrukturën për artin dhe kulturën, do t’i japin mundësi Tiranës që të aplikojë fillimisht si kryeqyteti europian i rinisë dhe më pas edhe si kryeqyteti europian i kulturës. “

Po konsiderojmë seriozisht që Tirana të aplikojë për vitin 2022 si kryeqytet evropian i rinisë dhe për vitin 2024 si kryeqyteti evropian i kulturës. Me gjithë ecurinë, progresin dhe konsensusin për të pasur një teatër të ri, besoj se do të kualifikohemi dhe për ato aspekte teknike të cilat më përpara do të na përjashtonin”

, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se me ndërtimin e teatrit dhe stadiumit, Tirana futet përfundimisht në hartën e qyteteve që janë gatshme të presin edhe evente ndërkombëtare, që më parë ishin të pamundura.

“Mungesa e një teatri ose mungesa e një stadiumi që na kanë përjashtuar nga evente ndërkombëtare, them se do të plotësohen më së miri tani që do të avancojmë me teatrin e ri. Një kryeqytet europian i kulturës që ka një opera, një teatër të ri, një amfiteatër të hapur, që ka skena alternative si Turbina, besoj se do ta bëjnë aplikimin tonë të suksesshëm dhe besoj se do të jetë konfirmimi se këto aplikime nuk janë të shkëputura nga njëra-tjetra, por janë pjesë e një pakete e cila garanton që në Tiranë mund të bëhet art dhe kulturë cilësore, që do të certifikohet edhe nga europianët për të pasur një kryeqytet europian të kulturës

”, deklaroi Veliaj.

Ai nënvizoi se Novi Sadi është një shembull i mirë në këtë drejtim, se si në pak vite u shndërrua jo vetëm në një qytet të rinisë, por edhe të kulturës. “

Tirana është sot produkt i të rinjve, jo vetëm në bashki, jo vetëm në Këshillin Bashkiak, por në parlament, në qeverinë shqiptare, një barazi gjinore, por edhe një angazhim i jashtëzakonshëm i të rinjve në jetën publike. Të rinjtë shqiptarë sot janë të suksesshëm në muzikë, po krijojnë biznese të reja, po prodhojnë histori që na bëjnë të gjithëve krenarë, qofshin këto në sport apo në akademi apo në imazhin që ata japin kudo në botë. Besoj se ka ardhur koha që Tirana të marrë meritat që i takojnë, kur vjen puna në të qenit një qytet jo vetëm i të rinjve apo edhe një qytet i kulturës. Novi Sadi momentalisht ka përjetuar dy eksperienca si qytet i rinisë dhe më vonë si qytet evropian i kulturës, kështu që një nga pjesët e tjera të axhendës ishte për të mësuar nga bashkia dhe kryetari i bashkisë si të bëjmë një aplikim të suksesshëm”,

tha Veliaj.

Gjatë vizitës së tij në Novi Sad kryetari i Bashkisë së Tiranës zhvilloi edhe një takim me homologun e tij, kryetarin e Bashkisë së Novi Sadit, Miloš Vučević, me të cilin diskutoi mbi mundësitë e bashkëpunimit, integrimin e të rinjve, si dhe eksperiencën për të aplikuar edhe Tirana si një qytet i rinisë dhe kulturës në Europë.

/tvklan.al