Bruno Çobo akuzohet nga SPAK se mashtroi italianët me Call Center dhe përfitoi 4.7 milion Euro
Autoritetet shqiptare kanë finalizuar ekstradimin e parë nga Dubai. Në Shqipëri mbërriti Bruno Çobo i cili akuzohet nga SPAK se në bashkëpunim me 16 persona të tjerë kanë arritur të mashtrojnë mijëra qytetarë italianë duke përfituar miliona euro.
Kjo u bë e mundur nga bashkëpunimi i ministrisë së Brendshme me homologët në Dubai. Këta të fundit kanë dhënë dritën jeshile për ekstradimin e personave që kërkohen nga drejtësia në Shqipëri dhe fshihen prej kohësh në Dubai. Bruno Çobo akuzohet për “Krijim grupi të strukturuar kriminal” dhe “Mashtrim kompjuterik”, në bashkëpunimin.
Hetimet për zbulimin e grupit ku bënte pjesë Çobo, nisën 4 vite më parë, pas kallëzimit të një italiani, të cilit nëpërmjet mashtrimit iu mor shuma prej 700 mijë Eurosh.
Bëhet fjalë për të paktën 1200 qytetarë të mashtruar në shtetit fqinj. Atyre u propozohej blerja online e aksioneve në “Amazon” me premtimin e pa vërtetë të fitimit të shumave të majme dhe të shpejta. Në momentin që klienti në dijeni pranonte nënshkrimin e investimeve, i dërgohej një e-mail që përmbante një link nëpërmjet të cilit lidheshin për të filluar blerjen e titujve.
Viktima shkarkonte sipas udhëzimeve te telefonuesit aplikacionin “AnyDesk”, faktikisht duke i lejuar mashtruesit që të futej si i jashtëm në kompjuterin e tij dhe të marrë kodet e sigurisë të bankës, duke e lejuar për tu futur direkt në numrat e llogarive bankare.
Të njëjtët mashtrues, me qëllim marrjen e më shumë parave nga “blerësit”, i bënin viktimat të besojnë se për të hyrë në zotërim të shumave shumë të mëdha të fituara nëpërmjet investimit, duhet të paguajnë një lloj takse/komisioni sipas rregullave të prezumuara, të vendosur nga Banka Qendrore Evropiane duke qenë se Shoqëria e Trading-ut gjendet në Angli, pra jashtë Bashkimit Evropian.
Bazuar marrëveshjes me autoritetet në Dubai, në vijim pritet të ekstradohen edhe personazhe të tjera të botës së krimit. Ekstradimet nga ky vend janë paralajmëruar edhe më herët nga ministri Balla për t’i dhënë fund arratisjes së personave që kërkohen për krime të rënda dhe fshiheshin në Dubai.
Klan News