Partitë paralajmërojnë padi në gjykatë
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut i ka hedhur poshtë 2142 ankesat e dorëzuara nga partitë politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Partia “E Majta” që ka fituar 2 deputetë në zgjedhjet e 15 Korrikut kishte dorëzuar 1982 vërejtje, por sipas KSHZ-së, nuk kanë qenë të nënshkruara dhe vulosur nga partia, kurse për ankesat tjera që janë dorëzuar nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa u tha se nuk janë të mbështetur në fakte.
“Tani ç’ka kërkoni prej nesh. T`i numërojnë një milion fletëvotime? Ata tashmë janë numëruar manualisht. Ata janë nënshkruar publikisht. Çka nuk është e qartë tani. E kuptoj që dikush për herë të parë shkon në zgjedhje. Nuk duhet që mosdija të jetë baza për ta manipuluar opinionin”.
Sipas këtij vendimi të KSHZ-së mbeten në fuqi rezultatet që u shpallën më 16 Korrik, ku koalicioni LSDM-BESA ka fituar 46 deputetë, VMRO-DPMNE-ja – 44, BDI-ja 15, koalicioni ASH-AAA – 12, partia “E Majta” 2 deputetë dhe PDSH-ja 1.
Në përbërjen e re parlamentare të Maqedonisë së Veriut do të ketë 33 deputetë shqiptarë, kurse seanca konstituive pritet të mbahet në fund të Korrikut apo fillim të Gushtit.
Tv Klan