Kukësi dhe Tropoja vazhdojnë të mbajnë vendin e parë në listën e debitorëve të energjisë elektrike. Edhe pse para dy vitesh kompania e shpërndarjes nisi një aksion të gjerë për të luftuar paligjshmërinë në sektorin e energjisë, skemat e reja të vjedhjes së dritave nuk janë ndalur.
Gjatë një aksioni në këto dy qytete, Task Forca e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë ushtroi 500 kontrolle, nga ku rezultoi se 85% e abonentëve ishin debitorë. OSHEE ka bërë kallëzime dhe ka shoqëruar në polici dhjetëra abonentë.
Kompania njofton se kohët e fundit, ka lindur një mënyrë e re për ta marrë energjinë pa e paguar, përmes grepave, të cilët lidhen direkt me shtyllën e tensionit të mesëm.
OSHEE ka denoncuar edhe rastin e vjedhjes së një linje 200 metra të tensionit të ulët, në qytetin e Kukësit, e cila ka lënë pa energji 40 abonentë të zonës së Tërthores. Në dy vitet e fundit situata financiare e kompanisë së shpërndarjes së energjisë është përmirësuar, por pavarësisht kësaj, ndaj saj vijojnë të krijohen borxhe.
Vetëm institucionet shtetërore kanë mbi 60 milion euro detyrime, ndërsa deri më sot, OSHEE nuk ka marrë asnjë masë për ndërprerjen e energjisë për këtë kategori.
Tv Klan