Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka publikuar sot një vide të Prof. Eduart Kakarriqi, i cili ka një përgjigje se kur mund të vijë vaksina në Shqipëri.

Kakarriqi i është përgjigjur pyetjes së çfarë po ndodh me vaksinën e COVID dhe ka dhënë disa këshilla për qytetarët.

 “Ka tre katër firma të ndryshme industriale që pretendojnë dhe thonë se jemi thuajse gati që deri në fund të vitit të nxjerrin vaksinën në treg. Mendohet që pjesa më e madhe e mendimeve është se vaksina do të jetë gati vitin që vjen. Neve si vend kemi marrë masa dhe kemi nënshkruar marrëveshje përkatëse lidhur me pjesëmarrjen e vendit tonë në atë që quhet faciliteti Covax, ku marrin pjesë dhe shumë vende të tjera.

Ne jemi gati që sa të dalë vaksina vendi ynë do të jetë një ndër vendet që përfiton blerjen në kohë të një sasie rreth 30% të popullatës së vendit tonë duke pasur parasysh që në fokus janë mosha e tretë, grupet me risk dhe moshat pediatrike”, shprehet profesori.

Më tej mjeku apelon qytetarët që të mbajnë maska dhe të zbatojnë rregullat e tjera kundër COVID, pasi thotë se këto janë vaksinat që kemi në duar.

Ne kemi një vaksinë në thonjëza në dorë që nuk janë gjë tjetër përveç masave. Një ndër këto masa krahas distancimit dhe higjienës është mbajtja e maskës. Maska duhet të bëhet zakon të mbahet jo vetëm në vendet e mbyllura por edhe jashtë”, thotë Kakarriqi./tvklan.al