Kryeministri Albin Kurti ka thënë se për Ballkanin Perëndimor, e veçanërisht për Republikën e Kosovës, integrimi i plotë euroatlantik në NATO dhe Bashkimin Evropian, mbetet qëllimi përfundimtar i sigurisë.
Këto komente, Kurti i bëri në fjalimin e tij mbi temën ndërlidhjes mes Gjeopolitikës dhe Integrimit Evropian, me vëmendje të veçantë te Ballkani Perëndimor, në kuadër të sesioneve të Forumit të Varshavës për Siguri (WSF).
Kreu i ekzekutivit tha se sot, siguria rajonale në Evropë është siguri kolektive për Evropën sepse “ajo që ndodh në Ukrainë apo Poloni, në vendet e Partneritetit Lindor dhe në rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, prek jo vetëm kontinentin, por gjithë botën”.
“Për ne në Ballkanin Perëndimor, e veçanërisht për Republikën e Kosovës, integrimi i plotë euroatlantik në NATO dhe Bashkimin Evropian, mbetet qëllimi përfundimtar i sigurisë. Kjo, krahas aftësive të mjaftueshme mbrojtëse dhe marrëveshjeve dypalëshe të sigurisë me aleatët tanë më të afërt, formon një ombrellë solide sigurie. Ashtu si Rusia, NATO dhe BE kanë një histori zgjerimi. Por ndryshe nga Rusia, zgjerimi i tyre ka ecur në një mënyrë paqësore dhe demokratike”, u shpreh Kurti.
Ai foli për rëndësinë e zgjerimit të BE-së dhe NATO-s, integrimin e Kosovës dhe rritjen e bashkëpunimit, si kundërpërgjigje ndaj influencës ruse.
Sipas tij, “në rajonin tonë nuk ekziston asnjë kërcënim më i madh se agresioni serb dhe rreziku që ndikimi rus të punojë së bashku me atë agresion”.
“Fatkeqësisht, e njëjta Serbi që nën regjimin e Millosheviçit në vitet e 90-ta kreu gjenocid në Bosnjë dhe Kosovë, vazhdon të kërcënojë pa u penduar. Serbia minon paqen në Ballkanin Perëndimor duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të fqinjëve të saj, përfshirë Kosovën. Vitin e kaluar, aksionet e njëpasnjëshme agresive të Serbisë kulmuan me një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023. Militantë të armatosur të trajnuar në Serbi, me armatim prej miliona Euro, hynë në vendin tonë, duke organizuar një sulm nga Manastiri Ortodoks i Banjskës. Qëllimi i tyre ishte të përsërisnin veprimet e Rusisë të vitit 2014 në Donbas”, tha kryeministri.
Shtoi se Kosova nuk po mbron vetëm integritetin territorial, sovranitetin, kushtetutshmërinë dhe ligjin, njerëzit dhe shoqërinë, por edhe prosperitetin dhe progresin e arritur veçanërisht në tri vitet e fundit.
“Ne duhet të mbështesim fitoren e Ukrainës, të parandalojmë përhapjen e ndikimit dashakeq të Rusisë dhe të ringjallim procesin e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor. Kosova mirëpret presidencën e Polonisë të BE-së në janar 2025. Më 15 dhjetor 2022, Kosova zyrtarisht aplikoi për anëtarësim në BE. Ne jemi të përkushtuar ndaj procesit të reformave dhe bashkëpunimit rajonal, duke ruajtur vlerat evropiane”, përfundoi kryeministri Kurti, duke ritheksuar dhe përkushtimin e Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ecjen tutje dhe angazhimin konstruktiv në proces. /Klan Kosova