Ky është 21-vjeçari shqiptar i cili orët e vona të së shtunës përplasi për vdekje me makinë një shpërndarës picash në qendër të Selanikut, në Greqi.

Mediat greke kanë publikuar foton e tij, ndërsa shkruajnë se i riu është baba i dy fëmijëve. 21-vjeçari, emri i të cilit nuk është bërë publik, nuk kishte patentë. Kjo pasi nuk di të shkruajë në gjuhën greke e për këtë arsye nuk mund ta kalonte provimin. Megjithatë kjo nuk e pengonte për të lëvizur me makinë.

Madje fqinjët e tij për mediat greke treguan se makinën e kishin parë shpeshherë të parkuar para shtëpisë së shqiptarit. Ai lëvizte shpesh me makina sportive që ishin të xhaxhait të tij.

Shqiptari jetonte me familjen e tij dhe prindërit emigrantë dhe të ardhurat i siguronin nga mbledhja e metaleve që i shisnin me triçikël.

Mbrëmjen e së shtunës, 21-vjeçari shqiptar udhëtonte me një makinë Audi me shpejtësi marramendëse, kur përplasi duke e hedhur disa metra tutje 47-vjeçarin grek, i cili ishte në motor. I riu kishte kaluar 3 semaforë të kuq para se të shkaktonte aksidentin fatal. Hetimet për ngjarjen e rëndë vijojnë.

Ndërkohë, mëngjesin e kësaj të marte, 47-vjeçari, i cili ishte baba i dy fëmijëve, u përcoll për në banesën e fundit./tvklan.al