Rusia do t’i kundërpërgjigjet ashpër çdo tentative që tenton ta dëmtojë atë. Deklarata e fortë erdhi nga ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov, vetëm pak orë nga skadimi i afatit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i lanë Moskës për mbylljen e konsullatës në San Francisco dhe dy zyrave diplomatike në Ushington dhe Nju Jork. Ne po analizojmë këtë lëvizje të SHBA-ve dhe do të përgjigjemi shumë shpejt, tha Lavrov.
Në reagimin e tij ndaj përshkallëzimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të brishta mes dy vendeve, kryediplomati rus gjithsesi nuk fajëson tërësisht presidentin Trump për mbylljen e konsullatës, duke drejtuar gishtin te paraardhësi i tij, Barack Obama. Për ministrin e jashtëm rus gjithçka nisi me qëllimin për të minuar marrëdhëniet ruso-amerikane dhe për të penguar presidentin Trump të bëjë propozime konstruktive.
Të premten, pak para largimit të stafit diplomatik rus nga konsullata në San Francisco, një tym i zi u vu re në tarracën e ndërtesës. Zjarrfikësit amerikanë njoftuan se nuk bëhet fjalë për një alarm zjarri, duke sqaruar janë djegur disa dokumente nga stafi rus, përpara se të largoheshin.
Vendimi i Uashingtonit për të mbyllur konsullatën ruse erdhi si kundërpërgjigje për shkurtimin masiv të stafit diplomatik amerikan në Rusi. Departamenti i Shtetit deklaroi se kjo është një shenjë barazie ndaj Moskës.
Tv Klan