Pr/ligji për shendetin seksual dhe riprodhues, për Ministrinë e Shëndetësisë nuk është final pasi po i nënshtrohet konsultimeve që vijnë nga ekspertët dhe shoqëria civile.
Reagimi i ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiu, vjen pas akuzave të opozitës për shtatzëninë surrogato se ky ligj shkatërron konceptin e familjes.
“Ligji është në fazë konsultimi synon të rregullojë shëndetin riprodhues. Ftoj ekspertët të japin mendimin e tyre”.
Për ekspertët pr/ligji nuk cënon konceptin e familjes por u vjen në ndihme shumë grave që për arsye shendetësore nuk mund të kenë një shtatzëni, dhe as nuk cënon shëndetin e gruas surrogato.
Ekspertë ndalen edhe tek nenet për procedurën invitro në Shqipëri, për të cilen thonë se ky pr/ligj rregullon kuadrin ligjor pasi deri tani ofrohej nga disa klinika të licencuara në vend.
I pyetur nëse ka vend për abuzim nga adoleshentët në rastin e abortit pa dijeninë e prindërve dhe nëse lejohet nga ana mjekësore aborti në këtë grupmoshe, mjeku obstetër gjinekolog thotë: “Aborti nuk rekomandohet në asnjë rast. Nga ana fiziologjike shëndetësore nuk ka ndryshim nga një 16-vjeçar në një 20-vjeçar dhe risqet janë të njëjtat”.
Aborti ka hasur debat të gjerë në shumë vende. Në SHBA 20 shtete federale nuk e lejojnë abortin, ndërsa Franca e ka ligjëruar si të drejtë kushtetuese atë.
Tv Klan