Milani i ka bërë një nisje shumë të dobët kampionatit, teksa pas tre javëve numëron vetëm dy pikë të grumbulluara, me një humbje dhe dy barazime.

Këto rezultate, kanë bërë që të vihet në dyshim e ardhmja e trajnerit Paulo Fonseca. Momentalisht, portugezi nuk rrezikon, por në rast se situata nuk ndryshon, largimi do të ishte i pashmangshëm.

Sipas asaj që raportojnë mediat nga Italia, dy ndeshjet ndaj Liverpool në Champions League dhe ndaj Interit në kampionat, janë provë për të ardhmen e trajnerit.

Në rast se skuadra nuk bind në këto dy takime, pankina e Fonseca-s, do të lëkundej ndjeshëm. Situata te kuqezinjtë nuk është aspak e qetë, me trajnerin, që në ndeshjen e fundit ndaj Lazios, uli në stol dy nga lojtarët më të spikatur te Milani, Theo Hernandez dhe Rafael Leao.

Një tjetër rezultat negativ në ndeshjet e ardhshme, do të agravonte situatën edhe më tej, prandaj gjithçka do të vendoset brenda 3 javëve. Momentalisht Fonseca ka besimin e drejtuesve, të cilët shpresojnë se rezultatet do të vijnë. /tvklan.al