Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Ky është fshati Spullçan në Maqedoni. Fshati gjendet nën kontrollin e trupave të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare Shqiptare. Ushtarët shqiptarë kryejnë kontrolle nëpër rrugë. Ata kanë hedhur poshtë edhe thirrjet e qeverisë maqedonase, si dhe të fuqive perëndimore për t’u dorëzuar, ose për t’u tërhequr nga fshatrat, që kanë nën kontrollin e tyre në veri të Maqedonisë. Gjendja humanitare në këtë fshat paraqitet shumë e rëndë. Njerëzit banojnë nëpër bodrume, ilaçet mungojnë, ushqimi është i pakët.

“Gjendja e popullatës civile në Spullçan është katastrofale. Që kur kanë filluar luftimet deri më sot, gjendja e popullatës civile është katastrofale, për arsye se gjendet e gjithë popullata nëpër bodrume. Por edhe gjendja shëndetësore është katastrofale, jemi në rezervat e fundit edhe ushqimin e kemi reduktuar në një herë në ditë”.

Ndërkohë Kryqi i Kuq ndërkombëtar, po vepron në përpjekje për të lehtësuar situatën humanitare. Ky përfaqësues i Kryqit të Kuq thotë, se situata situata është shumë e rëndë. Ndërsa forcat ushtarake maqedonase gjenden në afërsi të këtij fshati dhe mësohet se kanë shkatërruar një automjet./tvklan.al