Është ndëshkuar me gjobë një i ri i cili kryente manovra të rrezikshme me Jet Ski në Velipojë. Edhe në pamjet e bëra publike shihet se si ai rrezikon pushuesit.
“Kreu manovra të rrezikshme me Jet Ski, duke cenuar sigurinë e pushuesve në Velipojë, ndëshkohet me masë administrative 100,000 lekë drejtuesi i mjetit lundrues Jet Ski. Bllokohet dhe mjeti lundrues Jet Ski për mungesë dokumentacioni. Shërbimet e Policisë Kufitare Shkodër dhe të Njësisë Policore Detare, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Velipojë, gjatë patrullimeve në vijën bregdetare, nisur nga njoftimet e patrullave policore që patrullojnë në tokë përgjatë vijës bregdetare, për një mjet lundrues Jet Ski i cili kryente manovra të rrezikshme në plazhin e Velipojës, kanë ndërhyrë menjëherë për të bërë bllokimin e tij.
Drejtuesi i mjetit lundrues, pasi konstatoi shërbimet e Policisë Kufitare, mbylli mjetin lundrues dhe u largua. Pas verifikimeve të kryera, bazuar edhe në filmimet e publikuara në rrjetin social JOQ, Shërbimet e Policisë Kufitare kanë identifikuar dhe ndëshkuar drejtuesin e mjetit lundrues, shtetasin B. B., me masë administrative 100,000 lekë të rinj, si dhe kanë bllokuar mjetin lundrues Jet Ski. Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete”, njofton Policia./tvklan.al