Pas Shqipërisë dhe Kroacisë, ideja për ndërtimin e një centrali bërthamor për prodhim të rrymës elektrike ka joshur edhe Maqedoninë. Qeveria e Maqedonisë paralajmëroi program të ri investues 7 vjeçar me të cilin do të realizohej një numër i madh i projekteve strategjike. Në kuadër të këtij programi i cili parasheh investime në vlerë prej 8 miliard eurove është paraparë edhe ndërtimi i një centrali bërthamor.
8 miliard euro do të investohen për ndërtimin e minierave të reja, kapaciteteve energjetike, gazifikimit, infrastrukturës rrugore, mjedisit jetësor dhe objekteve sportive. Do të shqyrtohet edhe mundësia për ndërtimin e një centrali bërthamor në vlerë prej 1.2 miliard eurove që do të sigurohet nga investitor strategjik.
Isen Saliu: “Edhe pse Maqedonia numëron vetëm 2 milion banorë, qeveria ka shpallur një plan ambicioz në sektorin e energjetikës, përveç ndërtimit të hidrocentraleve dhe termocentraleve të shumta, ky plan parasheh edhe mundësinë për ndërtim të një centrali bërthamor. Mirëpo ekspertët dhe opozita e kanë vlerësuar këtë plan si të parealizueshëm.”
Ish-ministri i Financave në Maqedoni Xhevdet Hajredini, thotë se Maqedonia nuk ka kapacitet financiar, njerëzor e as hapësinor për të realizuar një projekt të këtillë.
Xhevdet Hajredini: “Kjo ishte një deklaratë sa absurde aq edhe qesharake për shkak se nuk ka asnjë kusht që të realizohet një program i vëllimit të tillë për një kohë kaq të shkurt, një shtet kaq i vobektë, kaq i vogël.”
Ndërkaq kryetari i Lidhjes Social Dmokrate të Maqedonisë Zoran Zaev, vlerëson se qeveria e Gruevskit nuk do të ketë kohë për të realizuar një projekt të këtillë sepse së shpejti do ta humbë pushtetin, sidoqoftë mbetet që koha të tregojë nëse projekti i paraqitur nga qeveria vetëm një ditë para fillimit të fushatës parazgjedhore në Maqedoni, paraqet projekt serioz apo vetëm një vërtik në fushatën parazgjedhore./tvklan.alGazetar: Isen Saliu