Brenda kësaj jave qeveria do të miratojë projektbuxhetin për vitin 2010. Një dokument që sikundër tha kryeministri Berisha, në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat, do të përmbushë të gjitha angazhimet e mazhorancës të shpallura në fushatë elektorale. Si ndër më kryesoret Berisha përmendi projektet që mbështesin integrimin dhe synojnë të ndërtojnë Shqipërinë Evropiane.
Sali Berisha: “Buxheti i vitit 2010 është buxheti i një guximi të veçantë, i një guximi të veçantë, sepse bazohet mbi parashikimin e rritjes së të ardhurave, prej 12% në vend. Mund të jetë qeveria e vetme në botë, ose ka dhe ndonjë tjetër se s’mund të jetë, por nga ndoshta e vetmja në Evropë po njëherë, që parashikon rritje prej 12% të ardhurave. Ne e bazojmë në performancën që patëm në dy vitet më kulmore të krizës financiare dhe ekonomike botërore 2008-2009.”
Kryeministri ju rikthye kryesisht performancës ekonomike, gjatë gjysmës së dytë të vitit 2008 dhe gjysmës së parë të vitit 2009. Ai nënvizoi rritjen e pagave dhe pensioneve që ndodhte në një kohë krizë për të gjithë Evropën, ku shifrat e papunësisë u rritën në mënyrë drastike apo pagat pësuan ulje të ndjeshme. Rritja e të ardhurave tha kryeministri, garantoi këtë zhvillim në financat e shqiptarëve. Këtu ishte rasti që kryeministri Berisha të sillte në vëmendje disa nga pikat kryesore të projektbuxhetit të ri.
Sali Berisha: “Angazhimet tona do vazhdojnë me rritjen e ndjeshme të rrogave dhe pensioneve. Ne e kemi këtë politikë kryesore. Do vazhdojmë me luftën e pamëshirshme ndaj varfërisë dhe mjerimit, me një standardizim të ri të ndihmës ekonomike. Do vazhdojmë me projektet e mëdha, me rrugën e Arbrit, me boshtin e jugut, me boshtin Qafë Plloç-Qukës, dhe sa po të përfundojë projekti do të fillojë trajektorja më e shkurtër Tiranë-Elbasan.”
Buxheti do të mbështesë fortë reformën në shëndetësi. Shërbime të tilla si mamo-grafia, pap-testi, apo dhe ekografia do të jenë falas. Mbështetja garantohet për arsimin dhe projektin e shpallur të qeverisë për moshën digjitale. Brenda vitit 2010 parashikohet ndërtimi i gjithë infrastrukturës në bregdet. Mbështetje të fuqishme kryeministri garantoi dhe për qeverisjen lokale, me rritje te ndjeshme te grandeve dhe krijimin për herë të parë të fondit për zhvillim rajonal. Këtu kryeministri dha porosi të qarta nisur nga fakti se zgjedhjet e vitit 2009, krijuan mazhoranca të reja edhe në nivel lokal. Miratimi i buxheteve lokale tha kryeministri Berisha duhet të jetë produkt i kompromisit dhe dialogut.
Sali Berisha: “Është parlamenti vendor autoriteti që miraton buxhetin. Është parlamenti i vendit dhe parlamenti vendor që ka te drejtë ta rihartojnë atë sipas vullnetit të tyre, por unë kam besim të plotë se këshillat, se parlamentet vendore dhe shumicat aktuale të krijuara në bashki dhe komuna të ndryshme. Do ta përdorim pushtetin në shkallën më të lartë të përgjegjësive. Do ta përdorim atë në sensin e kompromisit, sikur dhe kam besim se kryetarët e bashkive dhe komunave do të dëshmojnë të njëjtin vullnet, në mënyrë qe viti që vjen, të jetë viti më i suksesshëm i buxhetit në të gjitha nivelet.”
Në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat, kryeministri Berisha komentoi takimin në Orikum të kryetarit të PS Edi Rama, në takim nisur nga zhvillimet e fundit atje që kanë prodhuar konflikte për çështje pronësie.
Sali Berisha: “Me nervozizëm nxori njerëz jashtë nga salla. I them se kjo nuk është praktikë produktive, se vërtet t’i përdor pushtetin për të nxjerr këtë apo atë nga salla, por e vërteta është se në opinioni publik ndodh e kundërta, je ti që del nga salla kur e përdor dhunshëm pushtetin. Prandaj më i qetë. Ju tha qytetarëve të Orikumit, se Berisha nuk po mban premtimin. E garantoj Z. Rama se Berisha do mbajë çdo premtim nuk ka diskutim, se atë premtim që kam bërë unë për tokat e fermave , atë kam dekretuar, i dal zot në radhë të parë vetes time. Se unë si presidenti i republikës kam bërë dekretin dhe e kam bërë me vetëdije më të plotë dhe bëra ligjin. Ndodhi një manovër parlamentare e zakonshme që ma dështoi, por kjo shumë mirë s’do e kalojë atë ligj që do kalonte. Ai premtim nuk është bërë ne Orikum, ai premtim në Ksamil është bërë në shumë vende të tjera, do mbahet. Prandaj nganjëherë ju kujton premtimin tim nga ana tjetër i nxjerr jashtë. Çfarë kam premtuar unë do t’i zbatoj. Sot mora vendimin të zbatoja dhe një premtim tëndin siç ishte EKO-ja për nënat shtatzëna”./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi