Zv/Kryeministrja Senida Mesi priti sot në një takim Ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë së Kosovës, Besim Beqaj.

Gjatë takimit u vlerësua fryma e bashkëpunimit dhe përpjekjet për ta thelluar më tej lidhjen e fortë mes dy vendeve, si dhe u theksua nevoja e konkretizimit të Partneritetit Strategjik e gjithëpërfshirës mes Shqipërisë e Kosovës për ta kthyer atë në një model inkurajues në drejtim të bashkëpunimit rajonal.

Sipas një njoftimi për mediat nga zyra për shtyp e Zv/Kryeministres Mesi, në fokus të takimit ishte axhenda e inovacionit për zhvillimin ekonomik për të cilën të dyja palët dakordësuan për ta çuar më tej këtë axhendë duke bërë përpjekje të integruara në të ardhmen dhe duke e qasur atë në mënyrë të përbashkët.

Në kuadër të zhvillimit të inovacionit, si një prej prioriteteve kryesore të qeverisë shqiptare, Zv/Kryeministrja Mesi nënvizoi gjithashtu rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh në drejtim të stimulimit të start-up-eve me objektiv kryesor shndërrimin e tyre në vlerë ekonomike.

/tvklan.al