“Mafia e inceneratorëve pasurohet çdo ditë me miliona euro”
Presidenti i Republikës Ilir Meta thotë se Shqipëria është në një gjendje tepër të rëndë ekonomike dhe për ketë citon raportin e fundit të Bankës Botërore që sipas tij e rendit vendin tonë me recesionin më të lartë në rajon.
Meta thotë se me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit, dhe në kushtet e pandemisë, situata pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe ekonomike kombëtare, që duhet parandaluar në kohë.
Kreu i shtetit thotë se është e papranueshme që një grusht oligarkësh dhe banditësh, siç është edhe mafia e inceneratorëve, të pasurohen çdo ditë me miliona euro të taksapaguesve shqiptarë, ndërsa një qytetar në nevojë apo një pensionist me fëmijët në emigracion të mbijetojë me 5.5 dollarë në ditë, në kushtet e rritjes së shfrenuar të çmimeve.
Meta thotë se shqiptarët do ta marrin në dorë sovranitetin duke publikuar edhe një video nga protesta e organizuar në 2 mars ku pjesëmarrësit i kërkojnë të shpërndajë parlamentin.
Tv Klan