Debati mbi ndryshimet e ligjit mbi funksionimin e prokurorisë që ka përfshirë në një duel të heshtur Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme duket se është në fund të diskutimeve.

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, pranon të japë detaje të ndryshimeve që pritet të pësojë ky ligj.

Enkelejd Alibeaj: “Janë shumë çështje të cilat ndryshojnë me ligjin e ri. Rreth dhjetë çështje, dhjetë pika ku do të ndërhyhet në ligjin për prokurorinë. Po ju them më kryesoren. Përcaktimi i saktë i hierarkisë në organin e prokurorisë. Saktësohen marrëdhëniet mes drejtuesve të prokurorive përkatëse të nivelit të parë, të nivelit të dytë dhe prokurorit të përgjithshëm. Saktësohen marrëdhëniet mes këtyre prokurorëve duke përcaktuar që marrëdhëniet mes tyre do të jenë të bazuara në ligj, do të jenë të bazuara në shkrim, do të jenë të bazuara në parimin “Zbatohet gjithçka e ligjshme dhe asgjë e kundërligjshme. Do të ndërhyhet në çështjen e konfliktit të interesit. Si çdo administrator, si çdo i besuar i publikut që administron fatet e publikut edhe prokurorët nga më i thjeshti deri tek më i larti, jo për faj të tyre, por për rrethana qoftë edhe objektive mund të bien në konflikt interesi. Në vitin 2003 është hartuar ligji për konfliktin e interesit në administratën publike. Do të duhet që edhe ky segment i shtetit, pra sistemi i prokurorisë, të dalë jashtë konfliktit të interesit dhe është bërë pikërisht një ndërhyrje e tillë. Do të rregullohen marrëdhëniet mes prokurorisë dhe institucioneve të tjera duke ruajtur në thelb çështjen e pavarësisë së sistemit. Ky sistem i pavarur është sistem, i cili nuk është i votuar, që do të thotë marrëdhënia mes këtij sistemi, mes prokurorisë dhe publikut kërkon domosdoshmërish një mekanizëm që këtë sistem ta bëjë të përgjegjshëm, llogaridhënës dhe ta bëjë efektiv ndaj ndjesive të publikut”.

Ministrin e pyesim pse janë bërë dallime kur prokurorët gëzojnë edhe ata një imunitet.

Enkelejd Alibeaj: “Ky dallim është bërë që në vitin 1998. Është bërë me kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Neni 148 dhe 149 i Kushtetutës nuk parashikojnë në asnjë nga termat gramatikorë asnjë element imunitar. Dhe ky është një detyrim jo vetëm kushtetues, por i prononcuar dhe nga Gjykata Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese sa herë që ka bërë interpretime të dispozitave, të cilat kanë të bëjnë me çështjen e imunitetit kanë thënë mes shumë gjërash të tjera edhe këtë sentencë. Atë çfarë kushtetuta ka thënë askush tjetër nuk mund as ta ngushtojë dhe as ta zgjerojë.”

Gazetarja: Kush do të nisë procedimin penal ndaj prokurorit të përgjithshëm?

Enkelejd Alibeaj: Cili duhet ta fillojë? Ai individ, ai autoritet, i cili fillon çështjen penale ndaj dhe të gjithë institucioneve të tjera, ndaj dhe të gjithë organeve të tjera monokratike. Do të jetë një prokuror i republikës, i cili do të hetojë këdo qoftë edhe prokurorin e përgjithshëm në qoftë se ndodhin dhe ekzistojnë rekuizitat, premisat, shkaqet dhe momenti.”

Në këto ndryshime është planifikuar dhe ulja e pagës së prokurorëve, një fakt që bie ndesh me legjislacionin e pushtetit gjyqësor, ku thuhet se punonjësit e drejtësisë s’mund të kenë ulje në pagë.

Enkelejd Alibeaj: “Duke u nisur nga fakti që sistemi i drejtësisë operon si një triadë mes gjyqtarëve, të cilët janë pala super partes, mes prokurorëve, mes avokatëve të palës tjetër, të pandehurit ku gjyqtarët duhet të jenë mbi palët dhe ekuidistant nga palët qoftë dhe për simbolikë paga e kryetarit të Gjykatës së Lartë duhet të jetë jo e arritshme për secilin nga këto dy palë.”/tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani