Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Pas paralajmërimit që kryeministri Meta, i bëri Partisë Demokratike, sot mitingu i paligjshëm u mbajt përsëri në sheshin “Skënderbej”. Në fjalën e mbajtur kryetari i PD Sali Berisha, deklaroi se ky miting, mbahet për të protestuar kundër vjedhjes së votës dhe u bëri thirrje militantëve të PD, që përsëri nesër të marrin pjesë në miting.

Sali Berisha, Kryetar i PD:- “Nesër të mblidheni të gjithë nga ora 18, në këtë shesh. Nesër nga ora 12, në sheshin “Skënderbej”, sheshin e lirisë, sheshin e fitores, sheshin e qëndresës të demokratëve shqiptarë”.

Pas mitingut protestuesit u nisën drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku u ndalën së pari përpara Bashkisë së Tiranës dhe më tutje në Ministrinë e Rendit Publik. Në protestën e tyre përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, protestuesit ndaluan edhe përpara kryeministrisë. Këtu u hodhën parulla kundër qeverisë, si dhe pati goditje sporadike me gurë./tvklan.al