Rastet e të lënduarve nga aksidentet me monopatinat elektrike, që kërkojnë trajtim mjekësor, janë shtuar ndjeshëm. Në spitalin e Traumës në Tiranë, mjekët thonë se këtë vit ka pasur dy herë më shumë pacientë me fraktura.
Ilir Hasmuça, ortoped: Me rritjen e përdorimit në masë filloi edhe rritja e numrit të aksidenteve që ndodhin për shkak të këtyre. Në 2023-in kanë qenë 214 raste dhe në 2024 i thonë 554 raste, pra dyfishi më shumë. Vijnë me trauma të ndryshme, që përfshin fraktura të krahut të këmbëve, të legenit të brinjës, të qafës, trauma të barkut me dëmtime të organve të brendshme.
Të dhënat në spitalin e Traumës tregojnë një fakt shqetësues, se mes të lënduarve janë edhe shumë femije. Përdorimin masiv të këtyre mjeteve e konfirmon edhe Policia Rrugore.
Gerhard Baka, specialist i trafikut: Është shtuar masivisht përdorimi i këtyre mjeteve nga minorenët, dhe kjo është kthyer në një problem shqetësues dhe janë burim ngjarjesh rrugore.
Efektivët e Policisë Rrugore thonë se përdoruesit e skuterave elektrikë po kthehen një rrezik jo vetëm për veten e tyre, por edhe për kalimtarët dhe përdoruesit e tjerë të rrugës, pasi nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, siç duket edhe në këto pamje te filmuara nga kamera e Televizionit Klan.
Gerhard Baka, specialist i trafikut: Është fakt i pakontestueshëm që vitet e fundit kemi një shtim të fluksit në qarkullim të kësaj kategorie, por çdo mjet që nuk zbaton rregullat e qarkullimit rrugor kthehet në një shqetësim. Ka disa raste kur kjo kategori nuk zbaton sinjalizimin vertikal, vazhdojnë lëvizjen ndomëse sinjalizimi i semaforit i ndalon ato, qarkullojnë në korsi të ndaluara, trotuare që janë korsi për këmbësorët.
Sipas ekspertëve të Policisë Rrugore, drejtuesit e skuterave elektrikë duhet të qarkullojnë në korsinë e biçikletave. Në rastin kur një e tillë mungon, ata duhet të qarkullojnë në anë ta karaxhatës dhe jo përmes makinave, duhet të respektojnë edhe semaforin ashtu si mjetet e tjera që qarkullojnë në rrugë.
Tv Klan