Pasi akuzoi Perëndimin si organizator të ofensivës ushtarake të Ukrainës në rajonin e Kurskut, Moska drejton sërish gishtin nga vendet aleate dhe thotë se po e ndihmojnë Kievin.
Autoritetet ruse bëjnë me dije se për shkatërrimin e një ure strategjike mbi lumin Seym janë përdorur armë të Perëndimit, konkretisht raketa të prodhimit amerikan Himars sipas zëdhënëses së ministrisë së jashtme ruse, Maria Zakarova.
“Si rezultat i sulmit në urën mbi lumin Seim në rrethin Glushkovo, ajo u shkatërrua plotësisht dhe vullnetarët që po ndihmonin popullatën civile të evakuuar u vranë”, shkroi ajo në një postim në rrjtet sociale.
Kjo urë përdorej nga Kremlini për të furnizuar trupat e saj ushtarke. Kyiv ka pretenduar se ka marrë kontrollin e 82 vendbanimeve në një sipërfaqe prej 1,150 kilometrash katrorë në rajon që nga 6 Gushti.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë të ditur se nuk mund të lejojnë që presidenti rus Vladimir Putin të fitojë luftën që ai nisi në Shkurt 2022. Deri më tani ato e konsiderojnë inkursionin e befasishëm një veprim mbrojtës që justifikon përdorimin e armatimeve amerikane.
Megjithatë, ndërsa Ukraina lëviz më tej në territorin perëndimor rus, forcat ruse po bëjnë po aq përparime në lindje të Ukrainës. Ndërkohë gazeta amerikane “Washington Post” thotë se inkursioni i Ukrainës në Rusi ka prishur planet për të mbajtur bisedime për armëpushim në Katar.
Klan News