Kontrolli teknik i makinave tashme do te kryhet nga një firmë zvicerane. Marrëveshja koncesionare është nënshkruar nga ministri i Transporteve Sokol Olldashi dhe përfaqësues të kompanisë Societe Generale de Surveillance. Sipas ministrit Olldashi, kjo kontratë synon përmirësimin e ndjeshëm të sigurisë së qarkullimit rrugor të mjeteve rrugore me motor ne vend.

Sokol Olldashi: “Subjektit koncesionar zviceran ‘‘SGS” në bazë të kësaj kontrate që sapo u nënshkrua dhe në bazë të faktit të shpalljes fitues në procedurën e koncesionit i akordohet e drejta për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm teknik të mjeteve dhe rimorkëve për një periudhë 10 vjeçare kundrejt kushteve të kontratës dhe konkretisht pagesës së një tarife koncensionare prej 5% të fitimit të të ardhurave në llogari të shtetit shqiptar. Ky është koncesioni i parë që zhvillohet në këtë ministri, do t’i ofrojë përdoruese të mjeteve një cilësi shërbimi të standardeve të përdoruara nga vendet e Bashkimit Evropian.”

Jacques Vollenweider: “Qëllimi themelor i programit te ri është përmirësimi i standardeve dhe rritja e sigurisë në rrugë si dhe mbrojtja e ambientit. Në një kohë të shkurtër programi do të duhet dhe do të përputhet me të gjitha direktivat e Bashkimit Evropian në fushën përkatëse. Kompania do të ofrojë shërbimin e pavarur të kontrollit teknik të automjeteve, i cili do të karakterizohet nga përkushtimi ndaj nevojave të klientëve dhe konsekuencës në cilësinë e testimeve. Sistemi i ri i kontrollit do të jetë elektronik, i automatizuar dhe do të ofrojë siguri dhe saktësi maksimale testimi.”

Jo në pak raste aksidentet e ndodhura në vend kanë qenë si pasojë e mungesës së kushteve të sigurisë nga ana e automjeteve. Mjafton të kujtojmë një aksident te ndodhur në muajin korrik në Fier ku drejtuesi i një motori humbi jetën pasi u përplas me një kamion të parkuar në anë të rrugës për shkak se këtij të fundit nuk i punonte sistemi i ndriçimit ose një aksident në rrugën Lezhë-Shkodër ku tre persona humbën jetën pasi makina ku ata udhëtonin kishte patur një defekt teknik në sistemin e drejtimit./tvklan.alGazetar: Eno Luarasi