Përgjatë fundjavës grupi muzikor italian “Aperitivo Italiane” solli në skenën artistike në Gjirokastër muzikën italiane Jazz. Tre pjesëtarët e grupit interpretuan pjesë të ndryshme muzikore ndërsa koncerti u ndoq me interes nga artdashësit.

“Ishte një publik i mrekullueshëm këtë mbrëmje, artdashës të interesuar, të cilët ndoqën plot interes koncertin duke na duartrokitur në momente të veçanta. Ia kaluam me të vërtetë mirë, u argëtuam dhe shpresoj të rikthehemi”, thotë artisti Alesandro Vuono.

“Për ne ishte me të vërtetë diçka e bukur të vinim në vendin tuaj sepse me popullin shqiptar kemi marrëdhënie të veçanta. Ne jemi nga Jugu i Italisë, kështu që gjithmonë kemi patur një raport  të afërt me Shqipërinë. Ishte diçka emocionuese të ndjeje dhe shikojë publikun, i cili nën zë na shoqëronte duke kënduar gjatë interpretimit tonë”, shprehet Francesco Clemente.

“Faleminderit për mikpritjen, ishte diçka e veçantë  të interpretonim në këtë teatër plot me spektatorë dhe që na shoqëruan ngrohtësisht siç dini të prisni ju, dje ishim në Vlorë dhe atje ishte një eksperiencë e bukur dhe e sotmja sot në Gjirokastër ishte e mrekullueshme”, shton Marko Rosin.

Tashmë Gjirokastra ka një bashkëpunim intensiv me Italinë veçanërisht në fushën e turizmit dhe kulturës. 

“Jam i sigurt se në të ardhëm do të intensifikojmë bashkëpunimin, sepse Gjirokastra është një zonë e afërt me Italinë dhe miqësia jonë, bashkëpunimi ynë do të forcohet edhe më tej përgjatë vitit të ardhshëm”, shprehet Konsulli i Përgjithshëm i Italisë në Vlorë, Akile Provencano.

Në prag të festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri në Gjirokastër po zhvillohen aktivitete kulturore, të cilat gjallërojnë qytetin e gurtë dhe tërheqin turistët në stinën e dimrit.

Klan News