Në një kohë që PS kërkon që të zgjasë me 1 vit Ligjin për Investimet Strategjike, afati i të cilit mbaron në fund të muajit dhjetor, kryetari i PD, Sali Berisha e cilëson këtë kërkesë të mazhorancës si përpjekje për të vjedhur më shumë. Berisha, në konferencën për mediat, u zotua se do të anulojë të gjitha procedurat që lidhen me këtë ligj, nëse PD fiton zgjedhje më 11 maj.

Teksa PS dhe PD kanë nisur garën për të siguruar votat e pensionistëve, kryedemokrati thotë se kur opozita të vijë në qeveri do vendoset karta e konsumatorit, me të cilën do rimbursohet 100 përqind TVSH-ja e produkteve bazë për çdo pensionist dhe familje në nevojë.

Premton se për pensionistët dhe shtresat në nevojë do të futet në zbatim skema për çmimin proporcional të energjisë. Një tjetër zotim i kryetarit të PD është dhe ndalimi i pastrimit të parave të organizatave kriminale në sektorin e ndërtimit.

Për të realizuar zotimet e tij, Berisha kërkoi mbështetjen e qytetarëve brenda vendit në zgjedhjet e 11 majit, si dhe të atyre që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Klan News