Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi Perëndimin se po e shtyn Moskën të shkelë vijën e kuqe dhe është e detyruar të përgjigjet për sigurinë e saj.

“Në fund të fundit, taktikat janë shumë të thjeshta: ata na çojnë tek vijat e kuqe, në një pikë ku nuk mund të tërhiqemi më, fillojmë të përgjigjemi dhe pas kësaj, ata frikësojnë popullsinë e tyre si në kohët e mëparshme me kërcënimin rus”, tha Putin.

Kreu i Kremlinit u shpreh se Rusia do të hiqte të gjitha kufizimet për armët e saj nëse SHBA-ja vazhdon të vendosë sistemet raketore në Europë apo diku tjetër.

“Transferimi dhe vendosja e këtyre sistemeve raketore në Europë dhe në rajonin Azi-Paqësor tashmë është duke funksionuar. Më lejoni t’ju kujtoj se masa të tilla ishin të ndaluara më parë nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme, i cili pushoi së qeni efektiv me iniciativën e SHBA. Ne kemi deklaruar vazhdimisht se prishja e këtij traktati do të çojë në pasoja negative për sigurinë globale në tërësi”, u shpreh Putin.

Ndër të tjera presidenti rus tha se prodhimi masiv i raketave Oreshnik do të fillojë së shpejti.

Klan News