Seanca paraprake për dosjen “Partizani” është shtyrë sërish. Gjykata vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më 6 Janar të vitit tjetër.
“Sot vijoi seanca dhe kjo seancë deri tani ishte seancë për paraqitjen nga ana e prokurorëve për paraqitjen e rezultateve paraprake. E njëjta vjershë. Ai foli pa referencë. Kërkuam të na faktojë faktin penal dhe të na individualizonte provat për subjektet. Seanca është shtyrë më 6 Janar në orën 11:30”, tha avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj.
Avokati u shpreh se Berisha nuk do të kërkojë gjykim të shkurtuar.
“Ne do të vazhdojmë gjykimin, themelin, sepse ne tashmë fillojmë mbrojtjen tonë përpara gjykatës që do të jetë në dyer të hapura në prani të medias dhe njerëzve të interesuar. Ne do ta sqarojmë për aq sa na takon çështjen. Gjykimi i shkurtuar për zotin Berisha është i përjashtuar”, tha Gjokutaj.
Kujtojmë se kjo është seanca e tretë që shtyhet për shkak të volumit të çështjes. Gjithsej janë 333 fashikuj hetimore të cilat duhet të shqyrtohen nga avokatët mbrojtës për të dhënë argumentet e tyre përballë gjykatëses Flojera Davidhi sa i takon çështjes.
Në rast se gjyqtarja do të bindet që SPAK ka prova dhe fakte mund të vendosë kalimin e çështjes për gjykim. Në rast se gjykata nuk do të arrijë të bindet për faktet dhe provat e prokurorisë, por nga ana tjetër mund të bindet nga faktet e avokatëve mbrojtës mund të pushojë çështjen. Nëse gjykata çmon se nuk janë kryer të gjitha veprimet hetimore mund ta kthejë çështjen për rihetime në SPAK duke i përcaktuar dhe detyra konkrete që duhen kryer.
Kujtojmë se për këtë çështje, Berisha është marrë i pandehur për korrupsion pasiv ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi për pastrim parash dhe korrupsion pasiv. Të pandehur janë marrë edhe tre persona të tjerë./tvklan.al