Një nga bluzat më të njohura për tifozët e basketbollit në SHBA në historinë e sportit do të dalë shumë shpejt në ankand. Fanella e mbajtur nga LeBron James në ekipin e basketbollit të “St.Vincent-St. Mary’s High School” pritet që të shitet miliona dollarë në shtator në Hong Kong.

Kjo fanellë u mbajt nga ikona e basketbollit gjatë një prej seteve fotografike më të njohura në faqen e parë të “Sports Illustrated”, me titullin “I përzgjedhuri”. E fotografuar nga Michael LeBrecht, LeBron James mban numrin 23. Drejtori i organizimit të ankandit, Kody Frederick, tha se kjo fanellë ka rëndësi pasi përfaqëson nisjen e rrugëtimit plot shkëlqim të basketbollistit.

“LeBron e nisi, veshi fanellën në ekipin e gjimnazit, u fotografua si talent nga Sports Illustrated. Kjo ndodhi kur bota i kishte sytë nga ai. Ishte një yll në ngjitje dhe në këtë set u prezantua në botën e basketbollit si ‘I përzgjedhuri’. Nga këtu, ai nisi të vazhdonte të fitonte të gjitha ato çmime dhe të gjitha ato vlerësime. Dhe kjo është vërtet e veçantë, sepse shumë nga sukseset që LeBron do të arrijë, nisin nga këtu. Pra, ky moment është special!”

Një figurë si James është mësuar që të thyejë rekorde brenda dhe jashtë fushës dhe sipas Frederick, vlera e mundshme e fanellës mund të variojë në miliona dollarë dhe ka potencialin për t’u rritur në treg, pasi amerikani të jetë tërhequr nga basketbolli i luajtur.

“Vlerësimi që kemi për këtë shitje është një deri në dy milionë dollarë për fanellën e LeBron. Ne shitëm fustanin e Marilyn Monroe për mbi 5 milionë dollarë, momenti më i veçantë ikonik i Marilyn Monroe. Në botën e sportit, LeBron James është ndër më të mëdhenjtë”.

Ankandi do të nisë më 28 shtator. LeBron James është një nga basketbollistët më të dashur amerikanë falë stilit të tij të lojës, si edhe sukseseve e çmimeve të fituara.

Klan News