Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është paraqitur si dëshmitar për herë të parë në një gjyq korrupsioni duke shënuar kështu një moment historik.

Ai mbërriti në sallën e gjyqit përpara dëshmisë së tij ku u shfaq i qetë dhe duke shtrënguar duart me anëtarët e partisë së tij që ishin të pranishëm.

Netanyahu do të përgjigjet gjatë paraqitjeve të tij në gjykatë për akuzat për mashtrim dhe pranim ryshfeti në tre raste të veçanta. Kryeministri izraelit akuzohet se ka pranuar puro dhe shampanjë në vlerë prej dhjetëra mijëra Dollarësh nga një producent miliarder hollivudian në këmbim të ndihmës për interesa personale dhe biznesi. Ai akuzohet gjithashtu për promovimin e rregullave të favorshme për manjatë të medias në këmbim të një mbulimi mediatik të favorshëm ndaj tij dhe familjes.

75-vjeçari mohon akuzat të cilat i cilëson një gjueti shtrigash e orkestruar nga mediat armiqësore dhe një sistem ligjor i njëanshëm për ta rrëzuar atë nga pushteti.

Ai do të japë dëshmi tre herë në javë nga 6 orë dhe kjo do të marrë një pjesë të konsiderueshme nga dita e punës së kryeministrit.

Kritikët vënë në pikëpyetje nëse ai do të jetë i aftë të menaxhojë një vend të përfshirë në një luftë ndërkohë kur ai vetë përballet me një betejë të vështirë ligjore.

Klan News