Nga Gjermania, krydemokrati Sali Berisha iu kundërpërgjigj akuzave të kryeministrit Edi Rama të lëshuara në adresë të opozitës gjatë një takimi me të rinjtë.
Lideri i opozitës tha se Rama është përgjegjës për largimin e mijërave të rinjve shqiptarë.
“Ai përdori të gjitha termat e marrë nga Parku Zoologjik dhe bota e tij shpirtërore për të anatemuar opozitën. Edi Rama, nuk foli asgjë për punësimin e tyre, injoroi faktin se ky është sundimtari i vetëm që ka kryer një gjenocid ndaj të rinjve shqiptarë, duke larguar në 10 vite rreth 600 mijë prej tyre nga Shqipëria.”
Berisha në mesazhin video ftoi të gjithë të rinjtë t’i bashkohen alternativës së ndryshimit, duke votuar opozitën në zgjedhjet e 11 Majit.
“Edi Rama i faktoi dhe të riut më të fundit në këtë vend se ai, përveç sharjeve, përveç fjalorit ordiner nuk iu ofron asgjë tjetër, pos largimit të tyre nga Shqipëria. Ndaj dhe, ftoj çdo të ri të ndjekë jo alternativën e një sharësi profesionist, që mbrohet me sharje, por alternativën e Partisë Demokratike që ofron me të vërtetë mundësi të mëdha për çdo të ri që të ndërtojë të ardhmen e tij në vendin e tij të bukur.”
Kryedemokrati Berisha ndodhet në Gjermani për të marrë pjesë në kongresin e CDU-së. Kjo është vizita e tij e parë jashtë shtetit, pas vendimit të heqjes së arrestit shtëpiak nga gjykata.
Tv Klan