Prej 1 Majit, ashtu siç ka deklaruar qeveria, rrogat dhe pensionet do të rriten nga 10 deri në 20% duke shënuar një ndër rritjet më të ndjeshme të këto vitet e fundit. Ky ndryshim në nivelin e pagave do të thotë dyfishim për rrogat e ulëta, rrogat e mësuesve, të infermiereve, dhe të mjekëve, e gjitha kjo vetëm brenda harkut kohor të 4 viteve. Ndërkohë që rroga mesatare e punonjësve të administratës për këtë periudhë është rritur me 68%.
Kjo tabelë me të dhënat e mara nga instituti statistikave, tregon ecurinë e pagave mesatare në sektorin shtetëror nga vitit 1995 e në vijim. Siç shihet nga niveli mesatar prej 6400 lekësh në muaj, në vitin 1995, në harkun kohor të 15 viteve rrogat në sektorin shtetëror janë gati 6-fishuar. Por rritja më domethënëse është regjistruar pikërisht këto 4 vitet e fundit me dyfishimin e rrogave bazë në sektorë të tillë si mjekësia apo arsimi.
Reforma në fushën e pagave është vijuar edhe me atë në sektorin e pensioneve. Sipas Ministrisë së Financave pensionistët në fshat, nga 1 maji do të përfitojnë një rritje prej 20% ndërsa ata të qytetit 10 %. Tabela me të dhënat e institutit të sigurimeve shoqërore tregon sesi kanë ndryshuar pensionet vit pas viti. Nga 700 lekë në muaj që ka qenë pensioni në fshat në 1995 duke marrë në konsideratë edhe vendimin për rritjen me 20 % pas 2 javësh, pensionistet në zonat rurale do të marrin 6240 leke apo gati 9 herë më shumë. Ndërsa pensionisteve të qytetit në këtë mënyre pensioni rezulton t’ju jete rritur me rreth 4 herë.
Rritja e pagave dhe pensioneve ka ecur paralelisht me rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit duke kontribuar direkt në mirëqenien e qindra mijërave familjeve. Fondi që do të mundësojë vijimin e reformës në paga dhe pensioneve këtë vit, përllogaritet në rreth 7.7 miliardë leke dhe sipas qeverise është mundësuar nga performanca e kënaqshme e mbledhjes së të ardhurave gjate viteve të fundit./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro