Ata që preferojnë natyrën për të vrapuar apo për t’u ushtruar fizikisht kanë një tjetër hapësirë të dedikuar në kodrat e Parkut të Liqenit. Bashkia e Tiranës, përmes Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, ka nisur ndërtimin e këndit të tretë të forcës në këtë park, i cili më së shumti i kushtohet profesionistëve që gjithashtu preferojnë natyrën për t’u stërvitur apo për të mbajtur trupin në formë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e vlerësoi investimin si një tjetër dëshmi e politikës për promovimin e sportit dhe jetës së shëndetshme. 

“Jam shumë i lumtur që në prag të Maratonës së Tiranës (15 Tetor) po shtojmë terrenet sportive në qytet. Kjo është një zonë e parkut të liqenit, ku fillimisht u ndërhy për të prishur një pjesë të madhe të kafeneve, pranë universitetit të Gjeologji-Minierave, e cila frekuentohet kryesisht nga sportistët elitarë; pra, nëse pjesa jugore e parkut është më e frekuentuar nga amatorët, këtu vijnë kryesisht ekipe sportive të cilat bëjnë trajnim profesionist, do të thotë që kanë nevojë për paralele, për mjete të tjera të forcës dhe besoj që zëvendësimi i kafeneve me terrenet sportive, është një investim në drejtimin e duhur të Tiranës”,

u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.

Duke u ndalur te evenimenti më i madh sportiv, Maratona e Tiranës që zhvillohet më 15 Tetor, Veliaj theksoi se deri më tani ka patur një interesim shumë të madh nga sportistë dhe jo vetëm, për t’u regjistruar dhe për t’u bërë pjesë e garës.

“Jam shumë entuziast që kemi pasur një rekord të regjistrimeve për Maratonën e Tiranës, vetëm të huaj kemi mbi 1000 vetë që do të vijnë nga Afrika e Largët, Amerika Latine, Europa po e po, por edhe nga Azia. Kjo do të thotë që është inkurajim akoma më i madh për ata vrapues dhe për ata që përqafojnë jetën e shëndetshme në Shqipëri”

, tha Veliaj.

Ai u bëri thirrje të gjithë atyre që duan të bëhen pjesë e maratonës, të shfrytëzojnë ditët e mbetura për t’u regjistruar dhe për të konkurruar në një garë që tashmë njihet zyrtarisht nga institucionet ndërkombëtare të atletikës, por edhe për të promovuar një jetë të shëndetshme nëpërmjet sportit.

“U them të gjithëve, nxitoni, nxitoni, regjistrimi është online, një mënyrë jo detyrimisht për të marrë medalje. Disa vrapues, si puna ime, nuk pretendojnë medalje, por besoj që është një mënyrë se si inkurajojmë jetën e shëndetshme në qytet dhe prej sebepit të maratonës është shtuar frekuentimi në parkun e liqenit dhe si reciprocitet, parku i liqenit dhe administrata e APR po shton ofertën për të gjithë ata që duan të trajnohen e të kalojnë sa më shumë kohë në natyrë. Kemi filluar ofensivën ndaj kafeneve e bingove dhe për herë të parë kemi një bilanc pozitiv, në favor të  këndeve të lojërave dhe këndeve sportive”,

shtoi Veliaj.

Ai theksoi se Maratona është jo vetëm një aktivitet sportiv, por ajo shërben edhe si një mundësi shumë e mirë për promovimin e vlerave turistike të Tiranës tek të gjithë ata që do të vijnë nga jashtë për të garuar në Tiranë.

“Tirana ka interes jo vetëm sportiv, Tirana ka kryesisht interes turistik, ofron një tjetër produkt turistik që është maratona. Turizmi sportiv, ashtu siç është turizmi i aventurës, ai historik për të gjithë të kaluarën tonë komuniste, për bunkerët e muzetë, siç është turizmi urban për fasadat, besoj që turizmi turistik, turizmi sportiv është një mundësi fantastike që duhet maksimalizuar nga qyteti ynë”

, theksoi ai.

Veliaj paralajmëroi se do të vazhdojë edhe më tej aksioni për pastrimin e gjithë parkut të liqenit nga ndërtimet pa leje për t’i kthyer këto hapësira në më shumë gjelbërim për qytetarët.

“Pasi kemi përfunduar pastrimet e kafeneve dhe zgëqeve pa leje në zonën e Gjeologji-Minierave, tani që po i zëvendësojmë me terrene sportive do të zhvendosemi në pjesën jugore të liqenit të Tiranës. Aty kemi shumë zona informale, kryesisht të toleruara nga ish-komuna Farkë. U ka ardhur radha atyre. Tani u kërkoj të gjithë atyre që kanë ndërtuar pa leje, në vende ku nuk lejohet, si buza e liqenit dhe buza e zonave të gjelbra të Tiranës, t’i prishin vetë, të largohen vetë”,

tha Veliaj, duke shtuar se me të njëjtën mënyrë do të vijohet edhe në parqet e tjera të Tiranës, siç është ai liqenit të Farkës dhe ai i Kasharit.

Këndi që ka nisur të ndërtohet është i treti në llojin e tij në zonën e Parkut të Liqenit. Sipas projektit synohet që të vendosen 6 module force të veçanta, përfshi paralele e mjete të tjera stërvitje. Këndi do të jetë i rrethuar gjithashtu me një pistë vrapimi, si dhe do të jetë i pajisur me të gjitha aksesorët e tjerë që mundësojnë stërvitjen në çdo orë, si dhe një parkim biçikletash dhe stola./tvklan.al