Pas një seance maratonë, Kuvendi miratoi vetëm me votat e maxhorancës projektligjin për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale.

Nisma e socialistëve përplasi ashpër palët në Kuvend në të fundit seancë për këtë sesion parlamentar. Opozita e cilësoi procedurën e përshpejtuar të këtij ligji dhe në shkelje të rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës.

Gazment BardhiDuke qenë një projektligj jo qeveritar që sjell efekte financiare, do të duhet sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të sjellë mendim me shkrim Këshilli i Ministrave.

Shumica e mohoi dhe u bëri të qartë kundërshtarëve të djathtë që jo vetëm do ta miratojë, por do të rrëzojë dhe amendimet e propozuara prej tyre.

Toni Gogu: Të nderuar kolegë opozitarë na vjen jashtëzakonisht keq, ne atë nismë sot do ta bëjmë ligj.

Por ai që u bë sebep për zvarritje dhe ndërprerje të njëpasnjëshme të seancës, ishte deputeti Agron Shehaj. Ai kërkoi informacion për mosrealizimin e interpelanca e tij me zv/kryeministren.

Agron Shehaj: Mund të më bëni të ditur ju lutem një datë se kur do të bëhet interpelanca.

Elisa Spiropali: Zv.kryeministrja është jashtë Shqipërisë sot.

Por zv/kryeministrja Balluku erdhi në seancë disa minuta më vonë.

Belinda Balluku: Nuk ka gënjyer kryetarja. Nuk e kuptoj se kush është problemi juaj, nuk të vijmë në seancë pasi kthehemi? Kështu që merreni me qetësi, unë kam qenë këtu për interpelancë më 3 Tetor kur ju protestonit dhe Shehaj kishte frikën tuaj. Tani unë nuk e bëj dot burrë Z. Shehaj, nuk i jap dot zemër.

Pas deklaratave të Ballukut, Shehaj këmbënguli të merrte fjalën dhe bllokoi foltoren kur kjo iu mohua nga Spiropali.

Elisa Spiropali: Nuk mund të bllokosh foltoren, do të heq të drejtën e fjalës për sot dhe do të përjashtoj nga seanca. Deputeti Sali Berisha ka fjalën.

Seanca ka nisur dhe është ndërprerë disa herë, por Shehaj nuk ka pranuar të lerë foltoren dhe ka vazhduar të komunikojë me ndjekësit e tij në TikTok, duke u bërë pengesë që deputetët të merrnin fjalën. Kjo ka shkaktuar dhe përplasje fizike dhe ofendime mes tij dhe përfaqësueseve të tjerë të opozitës.

Replikat mes palëve vijuan edhe në orët e mbrëmjes, ku Sali Berisha kërkoi miratimin e rezolutës për gjenocidin serb në Kosovë pak orë përpara mbledhjes së parlamenteve Shqipëri-Kosovë. Por kjo kërkesë e tij u cilësua provokim nga ana e maxhorancës.

Sali Berisha: Ndërprisni menjëherë punimet, sillni këtu rezolutën për denoncimin e genocidit serb në Kosovë se përndryshe ulja juaj në Parlamentin e Kosovës është më e largët si përfaqësues të Shqipërisë dhe më e afërt si përfaqësues të Serbisë.

Elisa Spiropali: Këto provokime janë të pavend dhe të papërshtashme, nuk është vendi këto për të bërë politikën e ditës.

Taulant Balla: Adem Jasharin e arrestuat ju.

Sali Berisha: Arrestimi i Adem Jasharit është trillim serbo-shqiptar i turpshëm. Nuk po bëj politikë unë. Ju keni frikë nga Beogradi.

Gjatë seancës plenare palët debatuan edhe për projektligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Tv Klan