Visjan Ukcenaj këngë kushtuar depresionit
Pasditen e së martës në programin “Rudina” ka qenë i ftuar një aktor shumë i dashur për publikun, i cili me humorin e tij çdo të shtunë sjell gëzim dhe të qeshura. Bëhet fjalë pikërisht për Visjan Ukcenaj, i cili përveç humorit ka vendosur të flasë edhe për tema sensibilizuese, të cilat ka vendosur t’i sjellë nëpërmjet këngëve. Kënga e tij më e fundit “Shot”, në tekstin e saj prek një problem që po haset gjithmonë e më shumë në shoqëri, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, siç është sëmundja e depresionit.
“Në muzikën time kam qejf të jap mesazhe, të cilat edhe në mënyrë të pavetëdijshme jua shkulin pak veshin njerëzve për të reflektuar dhe pse jo për t’u zgjuar për të ndihmuar një mik, një shok, një të afërm. Unë kam pasur edhe miq, që kanë kaluar depresionin dhe jua kam zbuluar vetë që ata kanë patur këtë problem dhe kur ua kam thënë, më thanë: Po si e kuptove? Ju kam thënë: Po është evidente mor plak, edhe pse ti mundohesh ta maskosh me buzëqeshjen tënde“.
Por kjo nuk është kënga e parë për aktorin e humorit, i cili më parë ka publikuar disa këngë të tjera, të cilat shumica kanë qenë të zhanerit të humorit, por edhe bashkëpunime të ndryshme, këngët si “Ska si ti”, “Shah mat”.
“Unë si artist që jam kam dëshirë të gjej forma të ndryshme për të përcjellë mesazhe tek publiku. Se humori në vetvete përcjell mesazhe dhe unë nuk dua ta quaj veten këngëtar. Sepse unë nuk jam këngëtar, bëj rap dhe poezi. Kjo këngë pak ka shumë është si poezi le të themi. Unë kam dëshirë që me zhanera të ndryshëm të përcjell dhe mesazhe. Ne si artistë, kur jemi në skenë ose televizion, kemi për qëllim që të edukojmë, të bëjmë njerëzit të reflektojnë. Pastaj ne si individë, ndoshta nuk jemi perfektë, secili prej nesh ka gabimet e veta.
Visjani ndërkohë është i angazhuar në Klanifornia me një sërë rolesh dhe është një ndër aktorët më të dashur për publikun në këtë spektakël humori. Por angazhimet e tij me aktrimin mbeten edhe jashtë spektaklit, shpesh herë ai ndërmerr ‘Stand up-e të ndryshëm në klube për të rinjtë, ku me humor shpalos tema të ndryshme./tvklan.al