Gjatë një hetimi të kryer nga Kombet e Bashkuara është konstatuar se gjatë sulmeve kimike të 4 prillit në Siri është përdorur gazi nervor vdekjeprurës Sarin.
Nga ky sulm kanë vdekur më shumë se 90 persona.
Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley, ka thënë se raporti “konfirmon atë që tashmë e dimë: armët kimike janë përdorur kundër popullit sirian”.
“Tani që e dimë të vërtetën e pamohueshme, ne do të nisim hetime të pavarura për të konfirmuar se kush saktësisht ka qenë përgjegjës për këto sulme brutale në mënyrë që të kërkojmë drejtësi për viktimat”
, ka shtuar Haley.
Raporti i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike do të përdoret nga një grup hulumtuesish të OKB-së, për të identifikuar sulumesit.
Incidenti në qytetin Khan Sheikhoun kishte krijuar shqetësim ndërkombëtar, pas pamjeve ku shiheshin fëmijët duke vdekur para kamerave.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, disa ditë më vonë nisi një sulm ajror në Siri në vendin ku besohet se kishte nisur sulmi me armë kimike, në përgjigje të sulmit vdekjeprurës ndaj civilëve sirianë.
Gjatë kësaj jave, Pentagoni ka njoftuar se ka të dhëna se Siria mund të jetë në përgaditje të një tjetër sulmi kimik, duke e paralajmëruar Damaskun se do të paguajë “çmim të rëndë” nëse ndodh një gjë e tillë./REL