Ish-Presidenti Donald Trump dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris po shfrytëzojnë edhe orët e fundit të fushatës derisa të nisë heshtja zgjedhore e së martës kur amerikanët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kreun e ri të Shtëpisë së Bardhë.
Të dy rivalët janë përqëndruar që mesazhet finale t’i japin nga shtetet e lëkundur dhe që pritet të jenë përcaktues të fituesit.
Një prej tyre është Pensilvania, ku Kamala Harris ka përqëndruar të gjitha energjitë e saj për shkak të 19 votave që ajo ka në Kolegjin Elektoral. Gara aty duket mjaft e ngushtë edhe pse Trump udhëheq me më pak se 1% në sondazhe.
Harris do të zhvillojë aty 4 takime e shoqëruar nga personazhe të famshëm si Katy Perry, Lady Gaga dhe Oprah Winfrey dhe më pas do ta mbyllë fushatën në Filadelfia.
Ndërsa Donald Trump e nisi ditën nga Karolina e Veriut, një tjetër shtet i lëkundur, ku në një fjalim 90-minutësh bëri një sërë akuzash.
Më pas edhe Trump do të zhvillojë takime në Pensilvani dhe do ta përmbyllë në Miçigan.
Të gjitha sondazhet japin një garë të ngushtë duke mos pasur asnjë fitues të qartë.
Deri më tani në zgjedhjet e hershme kanë votuar mbi 78 milionë zgjedhës, gati gjysma e votuesve të presidencialeve të 2020-ës kur pjesëmarrja shënoi rekordin e dy dekadave.
Tv Klan