Videoja e një personi i cili mes ujit të ftohtë dhe reshjeve të borës, shkon për të ndihmuar një grua e cila kishte ngecur në makinën e saj dhe rrezikonte të mbytej, bëri xhiron e rrjetit. Ngjarja në Britaninë e Madhe mori vëmendjen e shumë mediave të huaja, përfshirë dhe prestigjiozen BBC.

Heroi i cili i shpëtoi jetën ishte shqiptari me origjinë nga Librazhdi, Çimi Kazazi. Ai jeton prej vitesh në Britani ku ka ndërtuar bizneset dhe familjen e tij. Në një lidhje direkte për “Rudina” në Tv Klan, ai flet për herë të parë për aktin heroik që bëri krenar padyshim gjithë kombin shqiptar.

Çim Kazazi, shqiptari që i shpëtoi jetën e një gruaje në Britani.

Çimi Kazazi: Pa menduar asgjë në botë, motivi im ishte që të ndihmoja atë grua ta nxirrja nga makina. Kjo ishte ajo që mendova, në atë moment truri im ishte “black out”. Në fakt i them faleminderit gruas që e futi në “social media” dhe arsyeja që e vendosi ishte për të lajmëruar njerëzit që të mos dilnin nga shtëpitë e tyre sepse këtu është një situatë e ndërlikuar. Nuk e kisha menduar që kishte shkuar në kaq shumë shtete, në Indi, Amerikë, Kosovë e kudo.

Rudina Magjistari: Po padyshim dhe me të drejtë, sepse është diçka që nuk ndodh gjithmonë dhe është një akt i jashtëzakonshëm. Më trego pak ngjarjen se si ndodhi.

Çimi Kazazi: Nga ora 5 e gjysmë, diçka e tillë, më merr në telefon një komshia ime, që e ka shtëpinë afër biznesit tim. Dhe më thotë “Çimi do të vish sepse këtu ka shumë ujë dhe situata është shumë e vështirë”.

Rudina Magjistari: Kishte rënë shumë shi më herët?

Çimi Kazazi: Po shi, pastaj filloi dhe borë. Kishte qenë ora 5 e gjysmë ku unë kam ardhur këtu (tek biznesi i tij), po e shikoja situatën nga kamerat, por edhe ato u prishën disa. Kam dhe një ambient që ia kam dhënë me qira një çifti, kjo ishte më shumë arsyeja që unë erdha këtu që të sigurohesha që ata ishin mirë. Kur erdha në fillim të fshatit, u futa 5 deri në 6 metra dhe u ktheva mbrapsht, sepse ishte shumë ujë i ftohtë. U ktheva mbrapsht dhe thashë që do të shkoj nga krahu tjetër i fshatit sepse është disi më e ngritur rruga, që të kem mundësi të hy nga biznesi im. U mundova për së dyti dhe vendosa të mos kthehesha më mbrapa, kjo ishte shumë e rëndësishme dhe për familjen që ishte aty. Po ndërrohesha dhe në ato momente që kisha një peshqir për t’u fshirë, gruaja që rri në apartamentin këtu, ajo e pa personin që ishte në makinë që hapi derën pak. Më thirri “Çimi është një grua e cila po rrezikon që të dalë nga makina”, dhe unë kaq mbaj mend.

Rudina Magjistari: Çfarë rrezikonte ajo grua? Sepse temperaturat kanë qenë shumë të ulëta dhe niveli i ujit ka qenë shumë i lartë.

Çimi Kazazi: Ajo kishte shkuar që të vizitonte familjarët dhe u kthye tek makina, por makina nuk mundi që të ecte dhe ajo u bllokua në atë moment. Nuk e pa njeri kështu që ajo ngeli në makinë për një orë e gjysmë gati dy orë, nëse do të kishte ndenjur më shumë se 20 minuta maksimumi do të ishte shumë e rrezikshme për jetën e saj. Ajo ishte 63 vjeçe dhe nuk kishte forcë fizike besoj, dhe e kishte të vështirë që ta hapte derën nga brenda sepse niveli i ujit kishte arritur deri tek gjoksi i asaj. Kur hyra në makinë ajo ishte në telefon duke folur me burrin e saj, ai ishte nga ana tjetër e fshatit diku tek 400 ose 500 metra larg, por nuk hynte dot. E mora dhe e lash tek apartamenti i çiftit dhe gruaja i dha rroba, çaj, që ta sillte në vete.

Rudina Magjistari: Ke pasur mundësi tani më mbrapa të flasësh me atë?

Çimi Kazazi: Kam folur, por dhe për atë kanë qenë momente shumë të vështira. Ka thënë që “do të vij të të vizitoj”. Kërkoi që të bënim fotografi atë ditë, bëmë fotografi dhe nga telefoni i saj dhe unë bëra një fotografi me atë nga telefoni im.

Shqiptarët jo pak herë janë përmendur në gazetat britanike, herë si trafikantë të lëndëve narkotike, herë si emigrantë të paligjshëm e të rrezikshëm, e herë si pjesëtarë të grupeve kriminale. Por këtë radhë, ata folën për aktin heroik të një shqiptari që i shpëtoi jetën një gruaje britanike. Me modesti Çim Kazazi shprehet se çdo shqiptar nëse do të ishte në vendin e tij kishte për të bërë të njëjtën gjë.

Çimi Kazazi: Ka shumë shqiptarë të paparë, që janë shumë të zotë, me biznese, por që edhe këto gjëra ndihmojnë shumë. Të gjithë shqiptarët më kanë përgëzuar. Është diçka e mirë për ne si komb, si shqiptarë që jemi njerëz krenarë. Unë isha njëri nga ata në atë moment, dhe bëra atë që çdo shqiptar do e bënte pa diskutim./tvklan.al