Propozimi i qeverisë, që parashikon pagimin e punonjësve sezonalë edhe gjatë periudhave jashtë sezonit, është mirëpritur nga operatorët turistik dhe punonjësit.
Gjergji Plasa, student që punon në turizëm, e cilëson këtë si një nga nismat më të rëndësishme të qeverisë në mbështetje të studentëve.
Gjergji Plasa: Duke pasur një pagesë minimale është një suport si për nevojat tona personale, por është një suport nga ana profesioanle, pasi me këtë punë ne jemi të lidhur me punën që kemi bërë tre muajt e verës, me subjektin përkatës dhe na motivon për të vazhduar përpara dhe për t’u zhvilluar në atë fushë që kemi zgjedhur.
Pas përfundimit të tre muajve të punës sezonale studentëve u duhej të kërkonin punë të tjera për të mbuluar shpenzimet. Me këtë nismë, ata jo vetëm që mund të sigurojnë të ardhurat e nevojshme, por edhe mund të zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale.
Gjergji Plasa: Fusha e hoteleri turizmit për momentin në Shqipëri është fusha ku të rinjtë mund të punësohen më lehtë madje edhe për të ardhurat mujore është një mbështetje e madhe pasi në këto momente mund të krahasohet me një punonjës banke apo me fusha të tjera të tregut në Shqipëri.
Operatorët turistikë thonë se largimi i punonjësve sezonalë dhe trajnimi i vazhdueshëm i stafit të ri paraqesin sfida të mëdha për turizmin. Andaj ata e shohin si zgjidhje pagimin e punonjësve gjatë periudhave jashtë sezonit për të siguruar mbajtjen e tyre.
Blerim Norja, operator turistik: Kjo nisëm është një nisëm shumë e mirë pasi puna në turizëm nuk do të konsiderohet më si një punë sezonale, por do të konsiderohet si një punë e qëndrueshme dhe afatgjatë. Pra në momentin që kjo punë do të konsiderohet e qëndrueshme dhe afatgjatë do të jetë një punë e preferuar dhe punonjësit kanë dëshirë ta bëjnë.
Operatorët turistik besojnë se zbatimi i kësaj nisme do të rrisë cilësinë e shërbimeve dhe do të ofrojë më shumë stabilitet në sektorin turistik.
Blerim Norja, operator turistik: Raporti është diku 30% janë punonjës sezonal që shtohen dhe largohen gjatë sezonit të dimrit, pra nëse këto punonjës do të jenë të lidhur me subjektin gjatë gjithë kohës, atëherë do të kishin mundësi që të kishin trajnime më të kualifikuara dhe ta shihnin këtë punë si profesion.
Administratorët turistik kanë kërkuar prej kohësh këtë reformë për të adresuar mungesën e fuqisë punëtore, një situatë që i ka detyruar të rekrutojnë punonjës sezonalë, kryesisht nga vendet aziatike.
Klan News