Drejtoresha e krimit kibernetik në Policinë e Shtetit, Ervina Gjana, doli në një konferencë për shtyp pas operacionit të policisë, të koduar “USDT-1”.

Ajo bëri me dije se efektivët e uniformave blu kanë arrestuar 18 persona. Ata akuzohen për disa vepra penale, që nga ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare, fshehje të të ardhurave dhe moskallëzim i krimit. Ndërkohë në kërkim janë shpallur 2 persona nga Maqedonia e Veriut.

“Është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: G. S., R. B., A. K., L. L., M. S., A. R., A. A., S. Gj., A. Gj., D. D., T. A., F. S., P. V., D. V., E. S., J. L. dhe A. B., të akuzuar për veprat penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Është ekzekutuar masa e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për shtetasin V. L., si akuzuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Gjithashtu, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim 2 shtetas të implikuar në këtë veprimtari kriminale, me shtetësi të RMV-së”.

Gjana sqaroi se 18 të arrestuarit, në rolet e autorëve dhe administratorëve të subjekteve ekonomike në Tiranë e Shkodër, këmbenin monedha virtuale në para dhe anasjelltas, pa qenë të pajisur me licencën e nevojshme. Hetimet po vijojnë, teksa policia ka konkluduar se kriptomonedhat përdoreshin si mekanizëm pagese ndërmjet grupeve kriminale.

“Si rezultat i hetimeve është provuar se 18 shtetasit e arrestuar, individualisht ose me cilësinë e administratorëve të subjekteve ekonomike në Tiranë dhe në Shkodër, këmbenin monedha virtuale ne para dhe anasjelltas, pa qenë të pajisur me licencën e nevojshme për kryerjen e kësaj veprimtarie”, njoftoi policia”.

“Në koordinim me Prokurorinë e Tiranës po vijojnë hetimet për të nxjerrë përpara përgjegjësisë të gjithë shtetasit e implikuar në këtë veprimtari kriminale, të cilët kanë përdorur kriptomonedhat si mekanizma pagese ndërmjet grupeve kriminale”, u shpreh Gjana.

Si pasojë e kontrolleve në 32 ambiente të ndryshme janë sekuestruar rreth 750 mijë Euro, para që sipas policisë dyshohet se i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale. Po ashtu, janë sekuestruar edhe 13 pajisje kompjuterike dhe 27 celularë./tvklan.al