Mozzik publikoi në 31 Korrik albumin e tij të titulluar “MozzArt”, që përmban 20 këngë dhe deri tani është pritur mjaft mirë nga fansat.
Përmes një postimi në Instagram, Mozzik bëri të ditur se pandemia i ka bërë lëmsh planet dhe jo të gjitha gjërat kanë shkuar ashtu si ai do kishte dëshirë.
Por edhe në këtë situatë, ai ka gjetur mënyrën se si të jetë pranë fansave të tij.
Reperi bëri të ditur se do të lëvizë në 7 qytete të Kosovës, në datat 8 dhe 9 Gusht, për t’u takuar me të gjithë ata që e kanë mbështetur për kaq vite, në shenjë falenderimi.
Ai kërkon nga fansat respektimin e masave dhe distancës, pa krijuar turma dhe tubime. Mozzik gjithashtu bën të ditur se janë prodhuar 30.000 CD të albumit të tij të ri “Mozzart” dhe dëshiron t’i dhurojë ato.
“Ideja ime është të vizitoj 7 qytete të Kosovës në këtë kohë pandemie, e do i dhuroj të rinjve tanë CD si dhuratë (falas), në shenjë falenderimi për të gjithë fansat. Falë juve jam, ku jam sot”./tvklan.al