Plot 3 vjet nga fillimi i kësaj legjislature parlamentare, harta politike e kuvendit ka ndryshuar dukshëm duke rrudhur disa parti të vogla, e duke rritur artificialisht disa të tjera. Për shkak të zhvillimeve, përplasjeve, por në disa raste të pazareve të rëndomta politike një numër i konsiderueshëm deputetësh kanë braktisur si partinë politike nën logon e së cilës u votuan nga shqiptarët, ashtu dhe grupin parlamentar.
Grupi kryesor i opozitës, ai i Partisë Socialiste, ka pësuar dhe tkurrjen më të madhe në këto 3 vjet, përveç 6 deputetëve që u përjashtuan nga radhët e saj, për shkak se mbështetën Bamir Topin si president, së fundmi është larguar zyrtarisht dhe Petro Koçi, i cili është bashkuar me grupin parlamentar të LSI-së, që zyrtarisht është emërtuar grupi e Majta për Integrim. Po në këtë grup figurojnë të përfshirë dhe Paskal Milo i PDS-së dhe aleancisti Neritan Ceka, i cili që prej janarit të shkuar mbeti pa grup parlamentar.
Ish-deputeti i Aleancës Demokratike Piro Lutaj, prej disa kohësh i është bashkuar Partisë Socialiste, ndërkohë 3 deputetët e përjashtuar nga Partia Socialiste vitin e kaluar Paulin Sterkaj, Durim Lamaj dhe Durim Hushi së bashku me deputetët e djathtë Pashk Ukja, Alfred Gega dhe Flori Bajrami deklaruan krijimin e Grupit të Qendrës në fundin e sesionit të kaluar. Për deputetin Ujka, ky është grupi i tretë në këtë legjislaturë pasi në fillim përfaqëson te Aleancën Demokratike, më pas u bashkua me demokristianët prej të cilëve u largua pak kohë më parë.
Nga e Djathta, grupi i demokristianëve ka pësuar më shumë ndryshime që nga fillimi i legjislaturës. Në këtë grupim janë bashkuar deputetë të majtë e të djathtë, ish-socialisti Tom Doshi, ish agrari Ymer Tola, 3 ish reformatorët Nard Ndoka, Jak Ndokaj dhe Frrok Gjini. I fundit u bashkua deputeti Shkodrës Gilman Bakalli.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka pësuar vetëm 2 largime, ndërkohë që në radhët e tij tashmë janë përfshirë zyrtarisht disa nga deputetët e djathtë, Lajla Përnaska apo dhe Arjan Starova.
Të pa përfshirë në grupe mbeten disa deputetë Spartak Ngjela, kështu dhe ish-deputeti socialist Taulant Dedja. Vazhdon të mbetet pa grup parlamentar edhe ish-kreu i PDK-së Nikol Lesi, nuk figuron i përfshirë me ndonjë grup parlamentar. Nga ana tjetër ish kreu i Partisë Socialiste Fatos Nano edhe pse vazhdon të figurojë në radhët e grupit të socialistëve, nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje të tij.
Nisur nga të gjitha këto ndryshime ky parlament do të mbahet mend dhe do të hyjë në statistikat parlamentare për shkak të ndryshimit të ngjyrës politike nga deputetët e sipërpërmendur./tvklan.al
Gazetare: Anila Rama