Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pas shumë rebelimeve, parlamenti i është rikthyer qetësisht rutinës së seancave plenare. Që në fillim të punimeve opozita u shpreh kundër presionit të ushtruar nga kryeministri Fatos Nano ndaj botuesit Nikollë Lesi, për pengimin e hetimeve nga mazhoranca në komisionet parlamentare për telekomunikacionin dhe KESH, pa harruar dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, ku sipas deputetëve demokratë është shkelur rregullorja e Kuvendit.

Bamir Topi: “Denoncoj me forcë ushtrimin e dhunës së pushtetit të zotit Nano, për të dënuar deputetë të opozitës, si në rastin e zotit Lesi, duke dashur t’i mbyll gojën opozitës dhe medias, e cila është plotësisht në misionin demokratik dhe qytetarë për realizimin e transparencës për qytetarët, të pushtetit abuziv dhe të korruptuar të kryeministrit dhe kryetarit të mazhorancës zotit Fatos Nano”.

Ministri i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit zoti Bashkim Fino, i është përgjigjur pyetjes së deputetit Kristo Goçi, mbi kontrollin e lëndës së parë në ndërtime pas konstatimit të tij për shfrytëzimin barbar të lumenjve dhe shtimin e ndotjes. Kuvendi diskutoi në seancën e pasdites dhe mbi raportin e qeverisë mbi shërbimin civil./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj