Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Vihet në pikëpyetje mazhoranca parlamentare. Votimi nominal i amendamentit për ndalimin e importit të lëndëve djegëse dhe mbetjeve në ligjin për mbrojtjen e mjedisit, propozuar nga lëvizja qytetare Mjaft dhe firmosur nga një grup deputetësh, vërtetoi se PS nuk gëzon shumicën e kartonëve në Kuvend.
Në parim, shtesa në projektligj u miratua me 59 votat nominale pro të opozitës, aleatëve të partisë qeverisëse, si dhe deputetëve të LSI-së.
Makbule Çeço: “59 pro, 55 kundër dhe 7 abstenime, fiton në parim”.
Votimi në tërësi i amendamentit rezultoi me të njëjtin numër votash pro dhe kundër në elektronikë, duke hedhur poshtë propozimin, pasi në bazë të rregullores, nismëtarët e projektligjit duhet të kenë të paktën një votë më shumë për të miratuar ligjin.
Me këtë votim, socialistët i hapin rrugën importit të plehrave nga jashtë. Kohët e fundit ka hapur një debat montimi i një impianti të plehrave në Kashar. Mendohet që partia e kryeministrit Nano do të respektojë marrëveshjen e qeverisë me një kompani italiane për importin e mbeturinave, ndaj dhe shefi i opozitës akuzoi socialistët si mbrojtës të interesave të kryeministrit Nano.
Sali Berisha: “Për t’i dhënë goditje përpjekjes së undit të Nano plehut, për të mos lejuar që Shqipëria të shndërrohet në plehun e Fatos Nanos. Natyrisht nuk keni cipë kombëtare, ju keni vetëm interesin e first man-it. Ai duhej të ulej aty ku protokolli turk i kishte caktuar vendin Mirela Moisiut, si përfaqësuese e femrës shqiptare në atë samit, jo sepse ju jeni të gjithë për first man-in, first plehun, jo po ju jeni avoketrit”.
Makbule Çeço: “O zoti Berisha, tashi ka një kufi edhe diskutimi, ju lutem!”
Sali Berisha: “Tani a ka mundësi t’i ndërpresësh të mos ndërhyjnë? Unë kur nuk mërzitem nga first plehu, mizat e plehut si kam për gjë unë. Ata çdo ditë në telefon marrin prej kryetarit të tyre, sharje dhjetë herë më të mprehta, sesa ato që deklaroi Spahia këtu dhe që unë ç’është e vërteta kam respekt për të gjitha nënat shqiptare”.
Kundërshtarët e kryeministrit Nano brenda PS, mbështetën opozitën. Sipas tyre, shtesa në ligj do të prishte marrëveshjen e qeverisë me palën italiane për importimin e mbeturinave. Sipas ministrit Viktor Doda, mendimi do të bllokonte të gjitha investimet në energjetikë. Ndërsa Ministri i Mjedisit Ruka deklaroi se legjislacioni ekzistues është i plotë dhe mendimi nuk sjell risi.
Et’hem Ruka: “Legjislacioni ynë është i plotë dhe nuk ka nevojë që t’i bëhen ndryshime, për të shtuar masën e sigurisë”.
Diskutimi pa pushim i çështjes së plehrave në seancën parlamentare, ngjalli instinktet poetike tek ligjvënësit socialistë./tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj