Partia Republikane ka mbyllur fushatën e saj elektorale në një takim me simpatizantë dhe qytetarë të shumtë në kryeqytet. I pari që ka marrë fjalën ka qenë presidenti i nderit të Partisë Republikane, Sabri Godo, i cili ka theksuar rendësin dhe rolin e Partisë Republikane në këto 19 vjet tranzicion të Shqipërisë.

 

Sabri Godo: “Ne besojmë në qeverisjen e të djathtë e me bazë të gjerë në dobi të vendit e demokracisë dhe do të ofrojmë bashkëpunimin tonë edhe në të ardhmen. Pas 3 ditëve maxhoranca e djathtë do të arrijë një fitore të shkëlqyer. Kjo marrëveshje po ndryshon vendin me shpejtësi dhe ka hapur perspektiva të qarta për të ardhmen”.

 

Duke qëndruar në këtë linje, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka theksuar se kjo parti ka punuar gjithnjë përtej interesave të saj pasi ajo ka qenë gjithnjë pjese e zhvillimit të shtetit të së drejtës dhe demokracisë në vend. Mediu ka ftuar të gjithë të pranishmit të votojnë për numrin 16 PR-n për të vazhduar ndryshimin e madh të Shqipërisë pasi ëndrra europiane e të gjithë shqiptareve nuk mund të ndalet nga askush.

 

Fatmir Mediu: “I kërkojmë të gjithë shqiptarëve të votojnë PR-n, i kërkojmë të gjithë shqiptarëve pa dyshim për të ardhmen tonë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Ne republikanët jemi këtu për të marrë një angazhim të përbashkët që do të jemi, zëri i të vërtetës në kuvendin e Shqipërisë, le të shkojmë edhe krenarë dhe të kërkojmë votën për PR-n si partia e njerëzve të mirë, partia e njerëzve përgjegjshëm. Ju ftoj ju që numrin 16 ta mbani lart, numrin 16 t’ia tregoni çdo shqiptari, numrin 16 është vendi ku votohet për PR-n, për të drejtën e pronës që votohet për familjen, që votohet për kombin shqiptar”.

 

Ministrja e Shëndetësisë, Godo, anëtare e kryesisë së republikanëve, u ndal në rolin që ka luajtur kjo forcë politike në qeverisjen e vendit, e konkretisht në reformimin e dikasterit që ajo drejton.

 

Anila Godo: “Shëndetësia pa dyshim që në 4 vjetët e ardhshme do të njohë nivele dhe standarde të reja dhe për këtë me kënaqësi kemi dëgjuar dhe premtimin e përsëritur të kryeministrit Berisha që në mandatin e ardhshëm mjekësia, shëndetësia do jetë prioriteti i parë i qeverisë. Të dashur republikan të jemi të bindur që ne dimë të qeverisim mirë dhe dimë të ofrojmë politikë të mirë, prandaj le të punojmë dhe këto 3 ditë që na kanë mbetur në mënyrë që grupi ynë i bukur parlamentar të ketë vendin dinjitoz në kuvendin e ardhshëm”.

Në këtë takim të zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, drejtuesit e PR-së u kërkuar shqiptareve t’i japin besimin kësaj partie, me qëllim që e djathta shqiptare të vazhdojë reformën integruese për ta bërë Shqipërinë pjesë të familjes europiane./tvklan.al

Gazetari: Eno Luarasi