Presidenti rus Vladimir Putin sapo ka mbërritur në kryeqytetin e Koresë së Veriut Pyongyang. Kjo vizitë vjen pas 24 vitesh! Siç shkruajnë mediat e huaja, ai është pritur nga lideri Kim Jong Un.

Putin ka premtuar më herët se do të ndërtojë sisteme tregtare dhe sigurie me Phenianin, i cili sipas tij “nuk kontrollohet nga Perëndimi”. Ai u zotua për ta mbrojtur Phenianin nga shantazhet dhe kërcënimet ushtarake të SHBA-së.

Ai tha se të dy vendet do të vazhdojnë të kundërshtojnë me vendosmëri planet e perëndimit. Kremlini e ka cilësuar një vizitë shtetërore miqësore, duke shtuar se mes liderëve do të nënshkruhet një marrëveshje partneriteti. Parashikohet një paradë në sheshin Kim Il Sung dhe pritet gjithashtu që Putin të shijojë një koncert dhe të vizitojë të vetmen kishë ortodokse në Korenë e Veriut. Raportohet se Putin do të qëndrojë në bujtinën Kumsusan, atje ku lideri kinez Xi Jinping qëndroi për herë të fundit gjatë vizitës së tij shtetërore në vitin 2019.

Pjesë e delegacionit të tij janë ministri i ri i mbrojtjes, Andrei Belousov, ministri i Jashtëm Sergei Lavrov dhe zëvendëskryeministri Alexander Novak.

Thesojmë se: Koreja e Veriut ka nevojë për ndihmë me teknologjinë hapësinore pas dështimit të saj të fundit për të vendosur një satelit të dytë spiun në orbitë si dhe ushqim, karburant e valutë të huaj.

Ndërsa Rusia përballet me mungesë të vazhdueshme armësh në luftën e saj në Ukrainë. Pas Koresë së Veriut, Putin pritet të vizitojë Vietnamin, një shtet komunist dhe aleat prej kohësh.

/tvklan.al