Këshilli Politik është mbledhur sërish këtë të martë. Në qendër të diskutimeve është financimi i partive politike, me demokratët që kanë propozuar një draft me pesë propozime.
Partia Demokratike kërkon reduktim drastik të financimit privat të partive në zgjedhje dhe rritje e financimit publik. Financimi privat nuk duhet të jetë më i madh se 50 % i masës së financimit, të cilin subjektet e kanë përfituar nga buxheti i shtetit.
Kërkohen kufizime më të forta mbi donacionet që vijnë nga privatët.
“Nuk lejohet të dhurojnë ata që kanë përfituar nga kontratat shtetërore 4 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë. Personat apo kompanitë që dhurojnë për kandidatët dhe partitë në zgjedhje përjashtohen për 4 vjet nga përfitimi i kontratave shtetërore mbi 10 milionë lekë”, thotë në një njoftim selia blu.
Një tjetër propozim i PD-së është kontrolli i ndërsjelltë i shpenzimeve financiare të partive në zgjedhje nga partitë rivale, ndërsa përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave të bëhet verifikim direkt nga ekspertët e partive të transaksioneve financiare në bankat e nivelit të dytë.
Risia e pestë e propozuar sipas PD-së është që mandati të shpallet i pavlefshëm ose të përfundojë para kohe nga KQZ-ja për të zgjedhurin ose subjektin zgjedhor, kur shkelja e dispozitave për financimin e partive politike përbën vepër penale./tvklan.al